Kritika për Balotelin, Boniek: E pamundur për një profesionist të jetë 15 kg mbi peshë!

Vazhdojnë kritikat kundrejt Mario Balotelit. Zbigniev Boniek, presidenti i Federatës Polake të Futbollit dhe ish-sulmuesi i famshëm i Juventusit, i ka dalë në krah Arrigo Sakit në debatin mes tij dhe menaxherit të lojtarit, Mino Rajola. Boniek ka folur për “Radio anch’io-Sport”, duke komentuar performancën e sulmuesit të Nicës gjatë ndeshjes Itali-Poloni.

“Do të doja të kisha një kombëtare si ajo e Italisë, me kaq lojtarë të aftë dhe të fortë, por si është e mundur që japin 50-60% të asaj çfarë japin me klubet e tyre? Mos të harrojmë, që ishte dhe një futbollist me 15 kg mbi peshë. Baloteli? Nuk e di… Diskutuam me Sakin mbas ndeshjes dhe ishim të dy dakord që Baloteli nuk ishte i përgatitur.

Në aspektin fizik, ai nuk ishte gati për një ndeshje të tillë. Jam dakord me fjalët e Sakit, por bëhet fjalë për inteligjencë futbollistike. Më vjen keq për Marion, por unë e pashë të papërgatitur dhe është faji i tij që nuk është akoma gati. Një profesionist nuk mund të jetë në këto kushte dhe nuk i hyn në punë askujt.

Ndeshja me Italinë? Nuk jemi plotësisht të kënaqur. Mund të dyfishonim rezultatin, por erdhi ajo penallti dhe më mirë dy të plagosur sesa një i vdekur, meqë kam shumë miq në Itali. Nuk e di nëse ajo penallti do të akordohej në kohën time, por me rregullat e sotme ndoshta është penallti”, përfundon kreu 62-vjeçar i futbollit polak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *