Zbërthehet Armand Duka: Binaku, Strakosha dhe… Skocia

Armand Duka, kreu i Federatës Shqiptarë të Futbollit, u shfaq i kënaqur pas fitores me Izraelin në Nations League. Në një intervistë të dhënë për Ora News, Duka analizoi fitoren e fundit, veçoi Binakun dhe Strakoshën, ndërkohë që foli edhe për ndeshjen e së hënës kundër Skocisë.

Zoti Duka, ishte një fitore e vuajtur kjo?
Fitorja është fitore dhe është e bukur kur arrihet. Kuptohet se kemi të bëjmë me një kompeticion zyrtar dhe është e vështirë. Kundërshtari nuk ishte i lehtë. Momenti psikologjik nuk ishte shumë i mirë, kështu që besoj se veçse kemi marrë tre pikë i ka shërbyer edhe psikologjikisht ekipit për t’u zhbllokuar dhe për të bërë më mirë në të ardhmen.

Emra të rinj të ndërthurur me lojtarë me eksperiencë. Çfarë mund të na thoni?
Sidomos mbrojtësi i majtë Binaku besoj se e kaloi provën për të qenë një lojtar i ekipi kombëtar. Mendoj se do të na ndihmojë shumë në të ardhmen. Pastaj edhe Strakosha është një pikë shumë e fortë. Dihet që është një portieri i mirë, por me Izraelin e tregoi akoma më shumë.

Po të ishit Panuçi, a do e kishit aktivizuar Binakun në një ndeshje kaq të rëndësishme?
Ah, këtë nuk e di. Trajneri gjykohet gjithmonë pas ndeshjes. Kur fiton nuk ke çfarë i gjykon. Këtë herë duhet ta gjykojmë mirë. Pra ka bërë mirë që e ka futur.

Ndeshja e radhës, kundër Skocisë…
Një ndeshje shumë e vështirë në transfertë dhe kundër një kundërshtari që luan shumë mirë në shtëpinë e vet. Por gjithsesi ne do të shkojmë me synimin tonë për të mos humbur në Gllasgou.

A mendoni se ky grup lojtarësh mundet që ta përsërisë historinë?
Ekipi ka akoma shumë nevojë të përmirësohet. Patëm probleme, ndoshta ishin edhe psikologjike pas paraqitjeve jo të mira. Uroj që kjo fitore t’i ketë zhbllokuar dhe të paraqitemi akoma më mirë. Por kemi gjëra të përmirësuar në shumë aspekte.

Njeriu i ndeshjes për ju…
Strakosha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *