Zyrtarisht Eros Grezda është pjesë e Rejnxhërs. Sulmuesi anësor i Shqipërisë ka nënshkruar për katër vite me skocezët dhe tashmë mezi pret të luajë. Osijek sigurisht që ka përfituar nga transferimi i gjakovarit dhe shuma e paguar shkon në rreth 3 milion euro.
Grezda sezonin shkuar ishte pjesë e Osijekut, që e bleu 23-vjeçarin nga Lokomotiva e Zagrebit, ku edhe ai shkëlqeu. Tashmë lëvizja e radhës ishte shumë e rëndësishme dhe vetë lojtari e pranon diçka të tillë.
“Është një eksperiencë e pabesueshme për mua. Kam ëndërruar që fëmijë për të luajtur në një klub të madh me fansa të shumtë. Nuk mund të ketë më mirë për mua se sa fakti që jam këtu. Mezi pres të luaj përballë tifozëve të zjarrtë”, është shprehur Grezda fillimisht, ndërkohë që nuk ndalet me kaq.
“Ishte momenti i duhur për të lëvizur në një ligë të tillë dhe në një klub të madh si Rejnxhërs. Mendoj se është një hap i madh për mua në karrierë”, është shprehur sulmuesi anësor për faqen zyrtare të Rejnxhërs.