Java e tretë e Superiores do të luhet në tre ditë, ashtu siç ka ndodhur dhe në dy javët e para. Sfida hapëse është ajo mes Skënderbeut dhe Laçit, takim ky që do të zhvillohet me dyer të mbyllura, pas dënimit nga ana e Komisionit të Disiplinës pas incidenteve të ndodhura në javën e parë në takimin mes korçarëve dhe Partizanit.
Skënderbeu edhe pse me shumë ndryshime dhe me një luftë të hapur me UEFA-n edhe këtë edicion po tregon se është po aq i uritur sa në edicionet e shkuara dhe kërkon titullin. Të besuarit e teknikut Orges Shehi kanë mundur që të marrin pikë të plota në 2 ndeshjet e para dhe e shohin veten në krye të klasifikimit. Po ashtu korçarët ende nuk e kanë pësuar golin e parë.
Laçi në krahun tjetër është një skuadër që po bën mirë, pasi ka 4 pikë pas 180 minutave të luajtura. Barazimi në transfertë me Kukësin u pasua nga fitorja me përmbysje në sfidën në shtëpi me Luftëtarin. Këto dy skuadra u përballën edhe pak javë më parë në ndeshjen e Superkupës, me juglindorët që mundën të përmbysnin bardhezinjtë në “Selman Stërmasi” të merrnin trofeun e parë sezonal.
Për këtë takim trajneri Artan Mërgjyshi ka grumbulluar dhe dy nga afrimet e kësaj vere, Sebastian Toro dhe Marijan Altiparmakovski. Për të dy këto lojtarët pritet që të ketë minuta në dispozicion në këtë sfidë. Në anën tjetër Shehi duket se nuk do të bëjë shumë ndryshime nga ndeshja e një jave më parë nga takimi me Kastriotin.
Formacionet e mundshme
Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Radas, Aliti, Abazi, Muzaka, Dita, Demte, Gripshi, Bregu, Krasniqi. Trajner: Orges Shehi.
Laçi: Selmani, Fangaj, Mersinaj, Gjoni, Sefgjini, Eler, Jonuzi, Lushkja, Shtubina, Xhixha, Uzuni. Trajner: Artan Mërgjyshi.