Presidenti i UEFA-s Aleksandër Ceferini u shpreh pak ditë më parë se nuk është aspak e vërtetë që po shqyrtohet mundësia që të përfshihet që këtë edicion të VAR-it në Champions League. Edhe pse në deklaratën para dy ditëve Ceferini e përgënjeshtroi lajmin dhe theksoi se për këtë edicion nuk do të ndodhë diçka e tillë fjala e fundit ende nuk është thënë dhe disa nga klubet kanë nisur fushatën e tyre që teknologjia të futet dhe në Ligën e Kampioneve.
Saktësisht presidenti i Juventusit Andrea Anjeli është gati që të paraqesë një kërkesë në 27 shtator për të futur VAR-in që në ndeshjet pas grupeve në Champions. Sigurisht që duket e vështirë, por nëse kërkesa e presidentit të Juventusit mbështetet dhe nga ana e disa nga krerët e klubeve më të mëdha në botë, edhe drejtuesit e UEFA-s do të nxiteshin që ta pranonin kërkesën e tyre. Në asamblenë e shtatorit do të vendoset përfundimisht nëse këtë edicion do të ketë VAR në Champions apo jo.
Në Kupën e Botës VAR e kaloi me sukses “provimin”, por drejtuesit e UEFA-s nuk duan të nxitohen dhe ndaj këmbëngulin që risia të vijë të paktën edicionin e ardhshëm. Pavarësisht kësaj, gabimet e bëra në edicionin e fundit i kanë shtyrë presidentët e skuadrave të mëdha që të mos humbasin asnjë minutë kohë dhe të kërkojnë revolucion sa më parë të jetë e mundur.