Adriano është një nga ata sulmues që të gjithë prisnin të bëhej i madh. Nuk i mungonte talenti dhe cilësitë, që ndonjëherë në fakt nuk mjaftojnë. Sulmuesi brazilian ka kaluar probleme të shumta, ndërkohë që zbulon edhe se si iu rrënua karriera.
Vdekja e babait ishte pikënisja e rënies së tij. “Isha shumë i lidhur me babanë tim”, thotë fillimisht Adriano, që më tej shton: “Lajmi për vdekjen e tij më shkatërroi”. Zgjidhja e gjetur prej brazilianit nuk ishte e duhura.
“Doja vetëm të pija dhe konsumoja gjithçka alkoolike, duke filluar që nga birrat, uiski, vodka”, vijon rrëfimin Adriano. Normalisht aty do të nisnin problemet, por në klubin zikaltër në çdo moment ka pasur mbështetje dhe braziliani e thotë vetë diçka të tillë.
“Tek Interi më kanë qëndruar të gjithë pranë dhe më kanë mbështetur. Shkoja në stërvitje gjithmonë në orar, por thuajse gjithmonë i dehur. Më merrnin dhe më çonin në dhomën e infermierisë për të fjetur, ndërsa në komunikatën për shtyp thoshin se kisha probleme muskulore”, rrëfen prapaskenat ish-sulmuesi.
Të luash në nivele të tilla, normalisht që edhe presioni është i madh, ndërkohë që edhe njerëzit që të qëndrojnë vërdallë janë të shumtë. Kur vjen puna te shoqëria, Adriano nuk ka ditur ta zgjedhë. Tek ai ka pasur ndikim të madh.
“Ishte edhe problemi i shokëve me të cilët rrija. Të gjithë më ftonin nëpër lokale me femra dhe alkool dhe më tundonin vazhdimisht të bëja këtë. Askush nuk mendonte se isha futbollist profesionist dhe duhet të kujdesesha për regjimin sportiv”, shprehet 36-vjeçari, i cili ka qenë pjesë e Interit në periudhën 2004-2009, duke shënuar 47 gola me zikaltrit.