Viktor Zhufo ishte një nga afrimet e Flamurtarit verën e shkuar. Mesfushori u largua nga Shkëndija e Tetovës dhe Shpëtim Duro e përfshiu në planet tij te vlonjatët. Erdhi me dëshirë në Superiore, por gjërat nuk kanë shkuar aspak mirë dhe në verë u largua për t’iu bashkuar Vardarit në Maqedoni.
Vjet kuqezinjtë e nisën mbarë kampionatin dhe pjesën e parë të sezonit u renditën të dytët. Në fund ranë në vendin e gjashtë. Zhufo tregon problemet: “Kur gjërat jashtë fushe shkojnë mbarë, edhe gjërat në fushë shkojnë mbarë. Në 6 muajt e parë kishim organizim shumë të mirë, pagat merreshin në kohë dhe lojtarët ishin në formë perfekte fizike e psikologjike. Në pjesën e dytë të sezonit skuadra nisi të humbiste lojtarë për shkak të dëmtimeve dhe nuk kishim asnjë rrugëdalje, ndaj grupi nuk ishte më i plotë. Rezultatet e këqija po shoqëroheshin me probleme jashtë fushe, me çorganizimin e pagave që nuk morëm dhe për pasojë skuadra humbi përqendrimin nga puna e përditshme në fushë, ndaj erdhën edhe rezultate gjithnjë e më të dobëta”, thotë fillimisht braziliani në një intervistë të dhënë për “Telesport.al”.
VUAJTJET – “Është e vështirë të përqendrohesh te puna, kur nuk ke kushtet e duhura për punë, kur ke një familje për të mbajtur, kur disa kanë fëmijë për të ushqyer, kur janë fatura për t’u paguar. Unë humba shumë ndeshje për dëmtim që normalisht kalonte me 2 javë kura, por nuk kisha ku të kurohesha dhe u ktheva në stërvitje pa u shëruar plotësisht. Luajta shumë ndeshje pa qenë në formë të plotë fizike, duke sakrifikuar për një kauzë të humbur”, shton mesfushori kur e pyesin për mungesën e dëshirës që ekipi shfaqi në pjesën e dytë të sezonit.
LARGIMI – “Nuk ndihesha mirë të vazhdoja aty, bashkëshortja ime po ndihej gjithnjë e më e trishtuar, familja ime ishte gati të shkonte në konsullatën braziliane për shkak të situatës sime. Nuk mund të largohesha, pasi rrezikoja të kisha probleme ligjore. Nuk do të qëndroja as për pagën më të mirë në botë. Në muajt e fundit të sezonit nuk mora asnjë pagë, nuk më ndihmuan të kurohesha dhe pagova gjithçka nga xhepi. Shkova në Maqedoni për kura me ndihmën e disa miqve. Në kontratë më paguhej edhe bileta e kthimit në Brazil, por u detyrova ta paguaj nga xhepi im. Humba shumë para, sepse duhej të firmosja një dokument për mbylljen e parakohshme të kontratës, përndryshe nuk më lejonin të regjistrohesha në asnjë klub tjetër. U detyrova të firmos, duke pranuar që klubi nuk më kishte asnjë detyrim financiar, edhe pse kisha shifra të mëdha për të marrë”, tregon Zhufo.
“Eksperienca ime te Flamurtari ishte më e keqja që mund të imagjinohet, nuk e mendoja kurrë se do takoja personazhe aq negative sa kam takuar atje. Ndoshta nuk jam ndonjë lojtar i jashtëzakonshëm, por duhet pak respekt. Nëse nuk je i kënaqur me një futbollist, prish kontratën dhe jeta vazhdon, është e thjeshtë, por ata as më përshëndetën apo falënderuan kur u largova”.
LARGIMI I TRAJNERIT – “Ndryshimi erdhi në momentin e gabuar për mua dhe u ndjeva si jetim. Shkova te Flamurtari për shkak se Duro më kërkoi, sepse kisha edhe 7 muaj kontratë te Shkëndija, një klub ku nuk më mungonte asgjë. Kisha marrëdhënie të mira me të gjithë, por u largova për shkak se më kërkoi Duro. Kur ai iku nga Flamurtari, nuk paguhesha më, isha i dëmtuar dhe nuk kurohesha, askush nuk më dilte në krah dhe nuk kisha as vizë. Kam luajtur një vit pa vizë, si është e mundur të ndodhë kjo?
ARBITRAT – “Ne në shumë ndeshje nuk arrinim rezultate për shkak të ndikimit të arbitrave, kjo ishte e qartë për të gjithë. Ndeshje transmetoheshin në televizion dhe të gjithë e shihnin qartë sa shumë gabohej në dëmin e Flamurtarit. Kishte ndeshje shumë të rëndësishme ku arbitrat bëheshin vendimtarë, duke na ulur ndjeshëm moralin”.
OFERTAT – “Një biznesmen më takoi para pak kohësh, por as që desha ta dëgjoj propozimin e tij. Isha i traumatizuar dhe nëse i thosha bashkëshortes që do kthehesha në Shqipëri, ajo do të thoshte: Shko ti, unë nuk vij me ty! Do kisha humbur bashkëshorten, po të vijoja në Shqipëri, ndaj preferova të kthehesha në Maqedoni”.