Tashmë është bërë çështje. Edhe vite më parë, kur u sugjerua që klubet të garantonin përmes kompanive private të sigurimit rendin në stadium, presidentët e klubeve ishin kundër. E gjitha lidhej me aspektin financiar dhe sërish mbetet një arsye e fortë.
Ligji i ri i Sportit, që largon Policinë e Shtetit nga impiantet sportive, ndoshta duhet të ishte diskutuar disi më tepër dhe kjo prej faktit që stadiumet tona nuk kanë nivelin e duhur të sigurisë. Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, një ditë më parë bëri thirrje për të bojkotuar kampionatin nëse nuk rikthehen forcat e rendit.
Në të njëjtën linjë me të është edhe Ardjan Takaj, presidenti i Skënderbeut. Provoi “t’i plaste bumja në dorë”, por nuk është krejt pa faj, pasi në një ndeshje ku numri i tifozëve ishte mjaft i lartë, nuk mund të garantohej rendit me vetëm 30 stjuartë. Plus që edhe në të shkuarën kishte pasur incidente kur luhej Skënderbeu-Partizani.
Takaj kërkon bojkot nga të gjithë, në rast se Policia e Shtetit nuk rikthehet të marrë përsipër mbarëvajtjen e takimeve dhe për këtë rendit dy arsye. Sipas tij, kostoja e policisë private është shumë e lartë dhe gati-gati e papërballueshme nga presidentët e klubeve të Superiores, që janë edhe organizatorët e takimeve të kampionatit.
Së dyti, presidenti korçar thekson se përtej kostove, policia private nuk ka mundësi të rregullojë mbarëvajtjen e takimeve të mëdha, mes skuadrash që pretendojnë për objektiva madhorë dhe mes tifozërish të zjarrta.