Vëllezërit Xhaka u kthyen në fenomen në Europianin 2016, pasi luajtën si kundërshtarë me dy skuadra të ndryshme: Taulanti me fanellën e Shqipërisë; Graniti me atë të Zvicrës. Pak përpara tyre, një tjetër lojtar shqiptar regjistroi një rast unik.
Loret Sadiku… u rrit në Suedi, por gjithmonë me ndjenjën kombëtare. Hoqi dorë nga skandinavët, ku luajti me ekipin e 21-vjeçarëve, për t’iu bashkuar Shqipërisë.
Ish-trajneri De Biasi e grumbulloi në ekip në nëntor të 2013-ës, por nuk i dha asnjëherë shansin të debutonte. Pak muaj më pas, Loret Sadiku u grumbullua nga përfaqësuesja e Kosovës, ku luajti ndeshjen e parë zyrtare të njohur nga FIFA ndaj Haitit (mars 2014).
Nga ai moment, katër ndeshje me “Dardanët”, deri ne vitin 2015 dhe më pas erdhi shkëputja. Tre vjet jashtë arenës ndërkombëtare. Rregullat e ndalojnë, që një lojtar të përfaqësoje tre shtete. FIFA e ka bllokuar aktivizimin me Kosovën, ndërsa mbrojtësi ka nisur betejën ligjore.
Situata e 28-vjeçarit, i cili luan te Kasëmpasha në Turqi, u sqarua nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. “Po punojmë t’a fitojmë betejën me FIFA-n, që Loreti të luajë për Kosovën. Jemi gati të bëjmë gjithçka për lojtarin. Pas largimit nga Suedia, Sadiku nuk luajti më Shqipërinë dhe me avokatin e tij, Loreti po punon të marrë lejen për të luajtur me përfaqësuesen e tretë, Kosovën”, shpregoi Ademi.