Hasan Lika ka marrë përsipër misionin për ta ringritur Vllazninë në elitë. Nuk do të jetë një mision i lehtë, pasi shkodranët sot kanë nisur përgatitjet. Gjithsesi, trajneri Lika ka nisur që të mendojë menjëherë për skuadrën e edicionit të ri.
Normalisht që drejtuesit e Bashkisë, me në krye kryebashkiaken Ademi do të mundohen që të përmbushin kërkesat e teknikut Lika, por duket se pioritet janë lojtarët shkodran. Sigurisht që dhe në financa nuk do të ketë çmendur, pasi skuadra luan në Kategorinë e Parë. Nuk do të jetë dhe aq e lehtë për të gjetur lojtarë me kualitet, pasi jemi në javët e fundit të merkatos dhe ky është një tjetër problem.
Sigurisht që në Shkodër ka talente me “bollëk” dhe tani është detyra e Likës që të pikasë ata që mund të jenë të dobishëm për të përmbushur objektivin që ka skuadra. Projekti i ri ka nisur, por rruga pritet që të mos jetë aspak e lehtë dhe misionin i rikthimit në Superiore do i besohet shkodranëve, atyre që janë të gatshëm për të marrë mbi supe përgjegjësinë.