Shqipëria gjen mbrojtës të majtë, Panuçi fton një emër të ri

Shtatë gola në dy ndeshje mjaftojnë për të kuptuar se kombëtarja e Shqipërisë fut ujë në mbrojtje, aq më tepër kur kujton se 3 i pësuam nga Kosova dhe 4 nga Ukraina, kundërshtarë të një niveli mesatar dhe nënmesatar. Trajneri Kristian Panuçi ka marrë sinjale të qarta se duhen elementë të rinj.

Numri një i stolit ka bindur shqiptarin e Maqedonisë, Besir Demirin, që të veshë fanellën kuqezi dhe të jetë pjesë e Shqipërisë në ndeshjet e shtatorit kundër Izraelit dhe Skocisë.

Futbollisti e ka pranuar vetë marrjen e ftesës në një intervistë për gazetën “Lajm”. Ai tregohet i sinqertë dhe sqaron gjithçka. “Të premten isha në Tiranë ku jam pajisur me pasaportë shqiptare, që do të thotë se kam zgjedhur të luaj për Shqipërinë.

Kjo ka ndodhur me insistimin e trajnerit Kristian Panuçi, si dhe drejtuesve të Federatës të cilët shprehën interesim për mua. Kam zgjedhur Shqipërinë sepse jam shqiptar. Nga Maqedonia askush nuk më ka kontaktuar.” – deklaroi Demiri.

Demiri është mbrojtës i majtë, aty ku dhe çalon ekipi ynë. Momentalisht luan në kampionatin ukrainas me ekipin e Mariupol. Ai është në një moshë ideale, pasi është 24-vjeç dhe ka përvojë. Më herët ka luajtur për Vardarin dhe Shkëndijen e Tetovës në Maqedoni. Futbollisti ka qenë pjesë e Maqedonisë së shpresave, por ka luajtur dhe dy miqësore me ekipin e parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *