E thërrasin “Qeni i tërbuar” dhe një arsye duhet të ketë… Po flasim për trajnerin e ri të Bazelit, Marsel Koler. Në dekalogun e tij, një pikë tepër e rëndësishme është përpikmëria…
I lindur në Zyrih, si një helvet i vërtetë, ora duhet respektuar dhe maksimalisht. E ka provuar në kurrizin talenti i ri, Afimiko Pululu, që u vonua vetëm 60 sekonda në grumbullimin e ekipit dhe nisjen për në ndeshjen e kampionatit, e fituar ndaj Grasshoperit me rezultatin 4-2.
Trajneri Koler i tha shoferit të autobuzit “Nisu! Nuk presim askënd”. Dhe, Pululu, me një makinë personale, ndoqi autobuzin duke mbërritur në ndeshje dhe duke i kërkuar falje trajnerit.
I pyetur për këtë veprim, trajneri tha: “Nëse një ndeshje nis në orën 19:00, arbitri nuk mund të thotë prisni në 19:05 sepse nuk ka ardhur një lojtar!”.