Spektakël nga Prishtina, Tirana nuk është ende gati; debuton me gafa Berisha

Tirana bie në miqësoren e zhvilluar sonte në “Selman Stermasi”. Prishtina e Mirel Josës ka fituar me rezultatin bindës 3-1, duke bërë gjithçka në pjesën e parë.  Goli i Dokës në pjesën e dytë thjesht sa ka mjaftuar për statistika.

Skuadra e Ze Marias është dukur në vështirësi, sidomos fizike, teksa pas 45 minutave të para, edhe pse në pjesën e dytë ka provuar, nuk ka pasur forcë. Sakaq, ka debutuar Berisha dhe është rikthyer Hoxhallari, pas huazimit te Laçi në Europë.

Kujtojmë që në dy miqësoret e mëparshme, Tirana ka arritur të triumfojë përballë Apolonisë dhe Flamurtarit të Kosovës. Për t’u nënvizuar super paraqitja e talentit Korenica.

Për t’u nënvizuar edhe pjesëmarrja e tifozëve, në tribunën qendrore, teksa te karshia nuk ka pasur asnjë tifoz.

Tirana – Skuadra e Ze Marias duket ende me vonesë sa i përket përgatitjeve, edhe pse për kampionatin duhet edhe pak kohë. Sigurisht, Prishtina është një skuadër e cila sapo ka luajtur Kupat e Europës dhe e ka nisur shumë më herët përgatitjen. Në pjesën e dytë, trajneri Brazilian ka aktivizuar Dokën, Turtullin, Grecën dhe Dajën. Pikërisht Doka ka shënuar golin e vetëm për bardheblutë.

Berisha – Një debutim bardhezi për mbrojtësin e ardhur këtë merkato vere nga skuadra e Vllaznisë. Sigurisht, i duhet ende të njohë mekanizmat e skuadrës bardheblu dhe Ze Maria duhet të punojë shumë me mbrojtësin 28 vjeçar që ka nënshtetësi maqedonase dhe shqiptare, pasi ka lindur në Shkup. Në fakt, të dy golat e parë të shënuar nga Korenica ishin praktikisht gafa të tij, sit e shkaktimi i penalltisë, ashtu edhe te goli i dytë.

Korenica – Çfarë të thuash? Vetëm duartrokitje, ashtu sit ë pranishmit në “Selman Stermasi” i dhuruan kur u zëvendësua në pjesën e dytë. Talenti kosovar, që ka dalë nga Shkëndija e Tetovës është goditja e madhe e Prishtinës së Josës këtë verë, që nuhati gjithçka dhe ia mori Lirisë së Prizrenit. Josa e kishte ndjekur me vëmendje djaloshin dhe ka shtyrë klubin të bënte investimin. Fantazist, teknik dhe i shpejtë. Korenica është një numër “10” atipik. Tri gola ndaj Tiranës dhe skena e tij.

Hoxhallari – i rikthyer pas huazimit te Laçi, ku luajti ndeshjet e Europa League, është dukur sikur nuk është larguar kurrë nga bardheblutë, edhe pse ka nevojë për pak pushim pasi sigurisht të luash në Europë dhe më pas të rinisësh ritmin nga e para s’është e lehtë. Hoxhallari, sakaq, ishte i vetmi i rrezikshëm në pjesën e dytë më një rast.

1-3

Tirana-Prishtina

Shënues: Doka 50’/ Korenica 10’ (p), 21’, 26’

Tirana: Abibi; Berisha, Atingah, Kërçiku, Hoxhallari, Maveje, Karabeci, Hasani, Kobina, Sentamu, Blazhevski. Tr.: Ze Maria

Prishtina: Bekaj; Thaçi, Haliti, Bekteshi, Bashiru, Mustafa, Ahmeti, Korenica, Arago, Mankenda, Jasharoski. Tr.: Josa

 

Episodet dhe golat

5′ Karabeci provon  nga jashtë zone, portieri Bekaj i pozicionuar mirë pret

9′ Ndërhyrje e parregullt e Sedat Berishës në zonë, arbitri Meta akordon 11-mertërsh pa asnjë dyshim

10′ 0-1 Korenica e dërgoi topin në rrjetë edhe pse Habibi e kuptoi krahun. Goditja e lojtarit të afruar nga Liria e Prizrenit ishte e fort

21′ 0-2 Prishtina. Gafë fëmijnore e Berishës, që nuk arrin të largojë topin dhe i dhuron një rast të artë Korenicës. Topi preket nga Jasharoski që ishte në pozicion të dyshimtë, i cili kombinon me numrin 10 që i vetëm me portierin nuk gabon.

25′ 0-3 Meriton Korenica thjesht fantastik, realizoi golin e tretë të ndeshjes dhe të tretin personal. Këmbëngulje e gjatë e fantazistit të Prishtinës, që fiton duelin me Maveje, godet me të majtën nga distanca dhe shënon.

31′ Tirana provon të rrezikojë me Kobina, goditja nga distanca e lehtë për portierin.

41′ Maveje rikuperon top, lëshoi një goditje të jashtëzakonshme që u përplas fort në traversë.

Aksioni vazhdoi me portierin Bekaj në vështirësi, por goditja e Hoxhallarit përfundoi pak centimetër mbi portë.

45′ Hoxhallari godet traversën nga pozicion i prirët.

50′ 1-3 Doka i aktivizuar në mbështetje të sulmit, këmbëngul gjatë në zonën kundërshtare dhe shënon.

77′ Jasharovski provon golin me parabol, goditja e lehtë për portierin

79′ Hoxhallari nga distanca, topi rrezikshëm jashtë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *