Kamza e siguroi mbijetesën edicionin e shkuar në javën e fundit, por këtë edicion po i merr masat që të mos përsërisë gabimet e bëra një vit më parë, Portieri Ilir Avdyli, në një prononcim për “Supersport”, ka besim se skuadra nuk do kalojë aq shumë vështirësi sa vjet, kjo për faktin e tani ka krijuar eksperiencë në elitën e futbollit shqiptar. Po ashtu “gardiani” skuadrës nga periferia e kryeqytetit jep një mendim se ku e sheh të nevojshme që të ketë afrime sërish, por nuk nguron që të bëjë një krahasim dhe për kampionatet e rajonit.
“Kamza ka nevojë të përforcohet në mbrojte, të jetë disi më agresive. Unë aty e shoh se ka mungesa dhe aty duhet edhe pak konkurrencë. Gjithsesi atë më mirë se unë e dine drejtuesit e stafi teknik”.
“Mendoj se këto ekipe që vijnë nga Kategoria e Parë e kanë shumë të vështirë, por nëse e kalojnë me sukses vitin e parë siç e kaluam ne në ndeshjen e fundit, edicioni i dytë është disi më i lehtë. Ekipi është njohur me Superioren, është tjetër nivel. Me ruajtjen e boshtit kam besim se ekipi do e ketë më të lehtë”.
“Kampionati shqiptar sa i përket cilësisë është më para se ekipet në rajon, ku mund të veçoj infrastrukturën këtu, që është një prej faktorëve më të rëndësishme. Nga kampionati shqiptar është hapur dera dhe shumë lojtarë shkojnë në skuadra më të mëdha në Europë. Mund të them se është një kampionat më i fortë se të tjerët në rajon”.