Tomori provon disa lojtarë të huaj, kthehen edhe dy sulmues të njohur

Nga Berati: Edi Spahiu

Tomori ka shtuar dukshëm intensitetin e përgatitjeve të saj, çka të lë të kuptosh se faza përgatitore ka hyrë tashmë në një fazë akoma më të avancuar. Risi gjatë kësaj jave është jo vetëm rikthimi në Berat i pjesës dërmuese të futbollistëve jabanxhinj nga sezoni i kaluar si Gjonaj, Mersini, etj, por në mënyrë të veçantë ajo që bie në sy është ardhja rishtaz tek Tomori e disa futbollistëve të huaj që kanë ardhur në provë.

Të hënën u paraqitën dy futbollistë të rinj, këtë të mërkurën janë shtuar edhe tre të tjerë, nga Brazili e Nigeria. Të gjithë do të jenë në provë deri në fundjavë, ndoshta duke shpresuar se këtë fundjavë skuadra e Tomorit mund të zhvillojë një ndeshje miqësore, pasi deri më tani ka zhvilluar vetëm një të tillë ndaj Apolonisë në Berat.

MITRAJ E KANAPARI – Ndonëse shpresohet që ndonjë nga futbollistët në provë të rezultojë një surprizë pozitivë, realisht Tomori nuk ndalet në merkato, sepse e ka të qartë që i duhet cilësi dhe eksperiencë. Për këtë arsye, sot në stërvitje kanë dalë edhe dy njohje të vjetra, sulmuesit Aldo Mitraj e Alush Kanapari.

31-vjeçari Mitraj ka një CV të pasur dhe eksperiencë edhe në Superiore, ndërsa ka qenë pjesë e Beratit në pjesën e dytë të sezonit të shkuar (3 gola në 7 ndeshje), por edhe në pjesën e dytë të sezonit 2012/13, kur shënoi 6 gola në 12 ndeshje në Superiore.

Ndërkaq, 23-vjeçari Kanapari ishte pjesë e Tomorit në pjesën e parë të sezonit 2016/17, ndërsa në janat 2017 kaloi te Laçi në Superiore. Verën e shkuar sulmuesi kavajas Kanapari iku në Itali, ndërsa tani kthehet tek Tomori.

TRAJNERI – Për më shumë se një javë në Berat duhet thënë se ishte prishur qetësia, por dhe ishte shfaqur dukshëm tensioni tek stafi teknik aktual. Gjithçka për faktin se kishte ditë që Bashkia Berat kishte kontaktuar me trajnerin Bledar Sinella, duke e ftuar të merrte sërish drejtimin e Tomorit dhe gjërat kishin shkuar deri aty sa dhe që kishin lënë dhe një ditë prezantimi për këtë fillimjavë.

Megjithatë, në Berat ka pasur reagime të forta kundër ndryshimit dhe kundër largimit të trajnerit aktual Gersi Arbri, ndaj bashkia është detyruar të tërhiqet dhe të rikthehet në mbështetje të teknikut aktual Gersi Arbëri sikur të mos kishte ndodhur asgjë në mes palëve në këtë histori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *