Nëse i hyn listës së premtimeve të Vllaznisë do të mrekullohesh nga shumëllojshmëria e arritjeve që skuadra shkodrane ka. Nga kryetarja-presidente Voltana Ademi e deri te ish-drejtuesit, ekipi shkodran duhet të ishte në majat e botës dhe me një president shumë të fuqishëm.
Realiteti është krejt tjetër dhe shumë larg premtimeve. Momentalisht, jemi më datë 2 gusht dhe Vllaznia është pa trajner dhe pa drejtor sportiv, praktikisht pa ekip dhe struktura. U prezantua vetëm administratori Suad Lici, por ende nuk i ka vendosur punët në vijë.
“Nuk e dimë ende kur do të fillojmë. Proces i vështirë dhe duhet të zgjedhim me kujdes”, – u shpreh ai për “Sport Ekspres” para pak ditësh. U mendua se drejtori sportiv, i cili me shumë mundësi do të jetë Alban Hasani, do të prezantohej dje, por diçka e tillë nuk ndodhi.
Tani, për tifozët shkodranë ka mbetur shprehja: “Prit gomar të dalin bar”. Sa shumë kanë pritur shkodranët, durim të fortë pasken pasur, s’kanë çfarë bëjnë. Një klub historik, pa tifo-grup, pa struktura dhe pa ekip, më keq se kaq nuk do ta mendonte askush.