Detaje të rëndësishme vijnë nga takimi i sotëm, që ka përfunduar pak më parë, mes agjentit të Kaldarës, Rizo, dhe drejtuesve të Milanit dhe Juventusit, por edhe me agjentin e Bonuçit, Luçi.
E megjithatë, mediat në Itali janë konfuze, pasi “Sportmediaset” flet për një shkëmbim që nuk do të bëhet mes dy mbrojtësve, teksa “Sky” konfirmon se po gjendet gjuha e përbashkët për një kalim të Bonuçit te Juventusi dhe Kaldarës te Milani, pasi po “limohet” distanca ekonomike.
Sakaq, “SportItalia” flet për një interesim të Çelsit për Kaldarën më shumë se sa për Ruganin, pasi ka “nuhatur” se ndoshta është momenti kur Juventusi ka nevojë për para.
Pa harruar edhe Dortmundin, që pati ofruar 35 mln euro që u refuzuan nga “Zonja”.
E megjithatë, në gjithë këtë histori dhe tratativë të gjatë, “nyja” mbetet Higuain. Juventusi duhet medoemos ta shesë argjentinasin, që nuk do të qëndrojë më në Torino, për shkak të ardhjes së Ronaldos, por edhe sepse klubi dëshiron të arkëtojë dhe të mos paguajë me një rrogë 7,5 mln euro edhe për tre vite të tjera, që do të peshonte në bilance, pasi Ronaldo është një kosto mbi 300 mln euro në katër vitet e ardhshme.
Milani dhe Leonardo kanë refuzuar kategorikisht Benatian si shkëmbim, teksa mund të pranojnë Higuainin si huazim me të drejtë blerje…