Portieri i Ulvërhemptonit e mbyll me futbollin, duhet të luajë ndeshjen e jetës

Portieri i Ulvërhemptonit dhe kombëtares nigeriane, Karl Ikeme, ka vendosur të tërhiqet nga futbolli, pasi duhet të luajë ndeshjen më të rëndësishme të jetës së vet, një sëmundje të rëndë. Ikeme është i sëmurë me një forme leucemie akute dhe ndeshjen e fundit e ka luajtur më 18 mars 2017, kur u zbulua sëmundja.

Ndonëse pas një viti kurash sëmundja duket se është ndalur, 32-vjeçari nigerian ka vendosur të ndalet: “Kam folur me mjekun dhe më ka sugjeruar të tërhiqem, sepse kurat e kanë dobësuar trupin tim. Shëndeti është prioritet tani, nuk mund të rrezikoj. Falënderoj nga zemra Ulvërhemptonin për mbështetjen, por ashtu edhe njerëzit që do të mbledhin donacione për të më ndihmuar. Jam krenar që e kam kaluar gjithë karrierën time te një klub, jam krenar që mund të kthehem tek Ulvs dhe të ndjej se më duan”.

Ikeme ka 18 vite i lidhur me Ulvërhemptonin, duke u larguar vetëm në huazim në disa periudha, ndërsa nga 2012 deri në 2017 ishte lojtar kyç i Ujqërve.

“Karl luan që prej moshës 14 vjeç për këtë klub dhe nuk është thjesht një futbollist në sytë tanë, është vëllai ynë dhe pjesë e rëndësishme e familjes”, thotë presidenti Xhef Shi, ndërkohë që shumë kolegë të Ikemes i kanë dërguar mesazhe mbështetjeje, duke nisur nga Iker Kasijas, Ter Stegen, Xho Hart e shumë të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *