Urgjenca e Kukësit, i duhet dhe një lojtar në merkato

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, është treguar mjaft i sinqertë duke treguar se ai pret përforcime të tjera. Verilindorët po bëjnë një paraqitje të mirë në arenën ndërkombëtare dhe kanë shanse që të prekin dhe turin e tretë të Europa League-s.

Edhe pse Kukësi ka qenë një skuadër mjaft aktive në këtë merkato, duke afruar plot 12 lojtarë, sërish është vënë re se ka një mangësi. Me shumë gjasa objektivi kryesor i drejtuesve të Kukësit do të jetë gjetja e një mesfushori të majtë, pasi largimi i Kalesë ka krijuar një boshllëk shumë të madh në këtë linjë, kjo dhe për faktin se nuk ishte parashikuar që braziliani të mos rikthehej.

Në ndeshjen e fundit, Cungu ishte i detyruar që të përshtaste Uilliam Kordeiron si një mesfushor të majtë, edhe pse ky i fundit ishte një mbrojtës i djathtë. Gjithsesi braziliani i ardhur këtë verë bëri mirë aq sa mundi. Edhe Vangjel Zguro që ka luajtur në dy ndeshjet e turit të parë në këtë pozitë, por  duhet të kujtojmë që dhe pogradecari është një mbrojtës i majtë dhe ka sakrifikuar për ekipin duke luajtur në mesfushë.

Sigurisht llogaritë në merkato dot bëhen për turin pasardhës, qoftë në Champions apo në Europa League. Duke ditur pretendimet e Kukësit, sigurisht që dhe presidenti Safet Gjici nuk do të kursehet për të afruar një lojtar që të kompletonte ekipin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *