Armando Sadiku është në merkato dhe deri më tani është folur vetëm për interesimin e turqve të Rizespor. Gjithsesi prej kur ka dalë lajmi ka kaluar pak kohë, ndërkohë që sulmuesi i kombëtares ka nisur fazën përgatitore me Levanten.
Ende nuk dihet e ardhmja, por sulmuesi mund të qëndrojë në La Liga, të paktën deri në janar. Së fundmi klubi spanjoll është përballur me një problem. Emanuel Boateng, një nga lojtarët kryesorë të sulmit, është dëmtuar në ndeshjen miqësore kundër Bornemuth.
Boateng ka kryer testet e para mjekësore dhe është vënë re se ka probleme me meniskun. Të martën ai do të vizitohet nga kirurgu Ernesto Fernandez, i cili do të përcaktojë edhe shkallën e dëmtimit dhe mënyrën e rikuperimit të sulmuesit.
Në rastin më të keq ai mund të qëndrojë rreth tre muaj larg fushave të blerta, ndaj edhe shitja e Armando Sadikut mund të rivlerësohet nga ana e klubit, pasi veç tij në ekip ka mbetur edhe Roxher Marti, pasi sikurse dihet italiani Pazini është larguar.