Ditë prezantimesh te Tirana. Pas afrimit të bujshëm të Edon Hasanit, klubi bardheblu zyrtarizoi edhe dy përforcime të tjera. Futbollistët nga Gana, Uinful Kobina dhe Vinsent Atingah i bashkohen 24-herë kampionëve të Shqipërisë.
Dy goditje të konfirmuara prej fillimit të muaji korrik, por që tashmë janë formalizuar me lojtarët afrikanë që janë paraqitur në zyrat e klubit, ku u fotografuan përpara kontratave 3-vjeçare (të cilat i kishin firmosur më parë në Ganë) dhe pozuan me fanellat e skuadrës.
Uinful Kobina është mesfushor me një të kaluar edhe në Arabinë Saudite. Marrëveshja me 26-vjeçarin ishte mbyllur praktikisht prej mesit të muajit korrik, kur ai firmosi kontratën me drejtorin ekzekutiv të klubit bardheblu, Hektor Çomo.
Me 24-vjeçarin Vinsent Atingah Tirana rrit konkurrencën në qendrën e mbrojtjes. Me këto afrime të reja, grupi në dispozicion të trajnerit Ze Maria po kompletohet nga dita në ditë, me skuadrën që synon të rikthehet në vendin që i takon në elitën e futbollit shqiptar.