Përveç ekipeve shqiptare, ku i nderuar doli vetëm Laçi, nëpër Europë luajtën disa lojtarë shqiptarë dhe më i lumturi ka dalë Elis Bakaj, i cili edhe sot në kthimin kundër Connah’s Quay shënoi, nga pika e bardhë. Sulmuesi shqiptar shënoi golin e parë në fitoren 2-0, që siguroi kualifikimin për në turin e ardhshëm në Europa League.
I ka sjellë fat Connah’s Quay Bakajt, sepse brenda javës është ndeshur dy herë dhe ka shënuar 2 gola me këtë rival, si dhe shënoi në fushën e Dinamo Brestit, golin e parë sezonal në kampionat.
Ndërkaq, Sabien Lilaj ka dalë kokulur nga Europa League, sepse Gabala u eliminua nga Niderkorn i Luksemburgut, edhe pse fitoi 1-0 sot. Skuadra azere ishte mundur 2-0 në shtëpi, me Lilajn dhe Adenijin titullarë në të dy ndeshjet. Start i keq në Azerbajxhan, ndoshta në kampionat gjërat do ecin më mirë.
Ndërkaq, Grezda nuk ishte në fitoren Osijekut 2-1 ndaj Petrokubit moldav, pasi sulmuesi ynë mbetet i dëmtuar. Nga ana tjetër, sulmuesi Rubin Hebaj ishte në stol për Domzhalen, që ka kaluar në turin e ardhshëm pas 2 barazimesh ndaj Shiroki Brijegut.