Rrugët e Danilo Alveshit dhe Flamurtarit janë ndarë përfundimisht. Sulmuesi brazilian duket se nuk do të rikthehet më në Vlorë, pasi po sheh mundësi të reja për veten. Lojtari tundohet nga një aventurë aziatike, pak rëndësi ka se ku do të përfundojë, e rëndësishme është se trajneri Ilir Daja nuk do ta ketë nën urdhrat e tij.
27-vjeçari la një mesazh në Instagramin e tij ku falenderon Flamurtarin për dy vitet e kaluara dhe i uron suksese klubit bregdetar. Me fjalë më të thjeshta, mesazh lamtumire nga shtatlarti. “Falenderoj shumë Flamurtarin për 2.5 vitet që kalova. Vlora është një qytet i mrekullueshëm. I falenderoj të gjithë që më mbështetën gjatë gjithë kohës.
Falenderoj presidentin Idrizi për dashamirësinë që ka treguar gjithmonë ndaj meje dhe familjes time, për gjithçka çfarë ka bërë për mua gjatë gjithë kohës. I uroj shumë fat Flamurtari. Shumë faleminderit!”, – përfundon Danilo mesazhin e tij. Braziliani kaloi 2 sezone e gjysmë me Flamurtarin. Ai luajti në 73 ndeshje për kuqezinjtë dhe shënoi 13 gola. Danilo ishte lider në Vlorë.