Nis gjyqi, Parma në fije të perit

Dy pikë penalizim për Parmën, që duhen shlyer nga sezoni i shkuar, çka do të nënkuptonte rikthim në Serinë B: kjo është kërkesa e Prokurorisë së Federatës Italiane të Futbollit në procesin pranë Gjykatës së Federatës Italiane. Parma akuzohet për tentativë trukimi – nën hetim është ndeshja e fundit e kampionatit të Serisë B, kundër Specias, ku sulmuesi verdheblu Emanuele Kalajò, i cili me anë të mesazheve në WhatsApp u ka kërkuar lojtarëve të Specias Filipo De Kol e Klaudio Terci që të mos lodheshin shumë, pasi Specia ishte e qetë, ndërsa Parma me një fitore mund të shkonte në Serinë A, gjë që ndodhi, sepse Frozinone nuk e fitoi ndeshjen e vet.

Kalajo i shkruante para ndeshjes mbrojtësit De Kol: “Ej, Pipein, mos na çaj tr..in të premten, të lutem shumë miku im”. Më pas: “Thuaji edhe Klaudienit, mbi të gjitha për marrëdhëniet që keni me mua”. Në fund një mesazh i tretë, ku sulmuesi u thotë që po bënte shaka.

Prokuroria ka paraqitur si kërkesë rezervë, nëse refuzohet kërkesa e parë, që Parmës t’i hiqen 6 pikë për sezonin e ardhshëm në Serinë A.

Ndërkaq, Emanuele Kalajò rrezikon shumë, sepse Prokuroria ka kërkuar 4 vite skualifikim.

Nëse Parma dënohet, përfiton Palermo, që ngjitet në Serinë A si ekipi humbës në finalen play-off.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *