PSG është i bindur se do të arrijë t’i mbajë yjet e vet në ekip për sezonin e ardhshëm dhe përtej lajmeve pa fund që dalin sidomos në mediat spanjolle, duket se edhe Nejmar është i vendosur të qëndrojë.
Sipas Luis Fernandez, drejtor i klubit francez, braziliani nuk ka ndërmend të lëvizë.
“Nejmar ka vendosur të qëndrojë në Paris. Synon të triumfojë, pas dështimit në Botëror. Beson se dëshiron të fitojë trofe me PSG-në”, pohoi Fernandez.
Ndërkaq, në një intervistë në Radio Marca, Fernandez siguroi se Kilian Mbape “do të qëndrojë, e ka thënë edhe vetë, 100%. Ai dëshiron të fitojë Champions League me PSG-në”.
Për sa i përket të famshmit Fair-play financiar, që e detyron PSG-në të shesë për re mos u dënuar, Fernandez devijon: “Rëndësi ka që Nejmar e Mbape duan të qëndrojnë në Paris. Nuk më shqetëson asgjë tjetër”.