Peter Pakult u largua nga drejtimi i Kukësit, pasi pati probleme dhe përplasje me disa nga lojtarët kryesorë të ekipit. Këta të fundit u ankuan te presidenti i tyre në lidhje me mënyrën e stërvitjes dhe procesin e ndjekur nga austriaku. Numri një i klubit i dha të drejtë teknikut të tij, por pas barazimit 0-0 me Valetën në Shkodër dhe me maltezët që rrezikuan më shumë, pa lekët që i largoheshin nga duart…
Aty nuk duroi dhe vendosi shkarkimin e austriakut duke pranuar kërkesën e lojtarëve. Shpresojmë të mos kemi një rast Zlatko Daliç, apo Adolfo Sormani. Megjithatë, ka nisur një kapitull i ri me Cungun. Tekniku shkodran rrezikoi dhe mori drejtimin e Kukësit menjëherë duke pranuar kërkesat e Gjicit për t’u kualifikuar.
Aventurë e rrezikshme e pranuar dhe nga fakti që nuk kishte ndonjë ekip tjetër në horizont. Cungu është në mes të një udhëkryqi, pasi nuk e di kë të njohë më parë, ekipin e tij, apo kundërshtarët. Rrezikshmëria është e madhe, pavarësisht se kjo ndeshje mund të fitohet nga vetë lojtarët, nga po ata që barazuan me Valetën. Ky është motivi shtesë i Cungut, nga krahu tjetër nuk përjashtohet mundësia e një hapi fals. Dy seanca stërvitore me skuadrën, si mund t’i kërkosh llogari Cungut?
Po sikur Cungu të mos kalojë Valetën? Një pyetje që nuk ka një përgjigje, pasi pritet fortunë e vërtetë. Gjysma e lojtarëve të afruar do të largohen si të paaftë, gjoba dhe rroga të vonuara. Cungu në pikëpyetje. Shpresojmë të mos ndodhë, pasi Kukësi do t’i nënshtrohej një tjetër revolucioni!