Superiorja shqiptare po kalon një periudhë tranzicioni. Sigurisht, ekipi i Skënderbeut mori një goditje të fortë e bashkë me të i gjithë kampionati. Shqipëria e kishte një përfaqësues të denjë në Europë, por dënimet e UEFA-s na bënë të fërkonim sytë dhe të mos jetonim në iluzione. “Ujqërit” treguan se ishin të pangopur, tani po e vuajnë në kurriz. Shpresat për lehtësimin e dënimit janë të pakta. Nën drejtimin e Orges Shehit, presidenti Ardjan Takaj synon vetëm të mbijetojë. Largime në masë, thuajse asnjë afrim, ekip “low cost”, Skënderbeu i frikshëm nuk është më.
Champions League dhe Europa League na treguan se ekipet e tjera janë larg Skënderbeut të vjetshëm. Kukësi kërkoi të shfrytëzonte rastin dhe të merrte stafetën e Skënderbeut, por nuk ia doli. Ndryshime kolosale në ekip dhe një trajner i hequr që pas barazimit të parë në Europë. Futbollistët nuk e donin, presidenti pranoi kërkesën e tyre! Në Maltë, në futbollin e tyre gjysmëamator janë habitur me veprimet e kuksianëve…
Partizani po vepron me qetësi dhe durim, por deri tani nuk ka afruar shumë cilësi. Pa dashur të paragjykojmë, asnjë nga lojtarët e ardhur në verë nuk e ka stofin e kampionit. Luftëtari është shëmbëlltyrë e vetes. Ndryshim politike në mënyrë të papritur dhe “voila”, 5 gola në një pjesë. Çfarë turpi!
Laçi na zbardhi faqen, por nuk presim nga kurbinasit të bëjnë mrekulli. Klubi i presidentit Pashk Laska është një shembull i bukur i një menaxhimi të mirë, buxhet i vogël dhe lojtarë me dëshirë.
Nga krahu tjetër kemi të afruar Tiranën dhe Kastriotin. Bardheblutë vijnë me pretendime, por shpresojmë të jenë aty ku duhet. Kastritoti paragjykohet duke qenë se vjen nga Kategoria e Parë, por skuadra krutane ka lëvizur më shumë se Kamza. Ekipi kamzali është në një kolaps total. Teuta e trajnerit Bledi Shkëmbi duket e mirë, por atë përshtypje të jepte dhe me trajneri Stavri Nica e të tjerët. Flamurtari afroi trajnerin Ilir Daja, një teknik specialist, por për momentin duhet të shohë grupin. Shumë largime dhe pak përforcime. Shpresojmë që vlonjatët të jenë një surprizë e bukur e këtij sezoni.
Viti i ardhshëm i Superiores duket se do të jetë më i dobët dhe duhet të mësohemi me stadiumet më bosh se sezoni i shkuar. E kur themi më bosh se sezoni i shkuar llogariteni në vetë se Superiorja do të jetë në “koma” sivjet.