Mbrojtësi i Barcelonës Jerri Mina ka folur hapur në lidhje me vuajtjet e tij në Barcelonë, që kur u transferua në Spanjë prej Palmeirasit në janar, duke i quajtur “momente shumë të vështira” ato që ka përjetuar në Barcelonë, me presionin gjithnjë e në rritje.
Kolumbiani 23-vjeçar luajti vetëm 5 herë në kampionat, pas transferimit te Barcelona për vetëm 11.8 milionë euro, duke mbetur pas Pikesë, Umtitit e Vermelenit në hierarki.
Mina, i cili shënoi 3 gola për Kolumbinë në Kupën e Botës, flitet se do të transferohet tek Evertoni për 24 milionë euro dhe për mbrojtësin është gjithçka në rregull, mjafton që të luajë rregullisht.
“Dua të luaj diku ku të ketë më pak presion dhe unë të kem minuta. Do të bëj gjithnjë më të mirën për vete dhe për klubin, kudo që të luaj në të ardhmen.
“Kur e shihja veten që a më merrnin në konsideratë, duke më lënë jashtë ekipi, kam vuajtur shumë. Stërvitesha në shtëpi, ishte e dhimbshme ta shihja ndeshjen nga televizori, nuk ia uroj askujt. Kanë qenë momente shumë të vështira, kam qenë i trishtuar sepse nuk po paraqitesha mirë, por në këtë moment jam i lumtur.
“Në fillim isha nervoz, kur nisi Kupa e Botës, sepse vija nga disa muaj ku nuk kisha luajtur fare. Nuk kisha minuta. Do ishte shumë e vështirë ta përballoja edhe Botërorin në stol, por Zoti më dha mundësinë të shkoj përpara dhe të tregoj sa vlej”.