Para disa ditësh Samuel Nikaj postoi në rrjetet sociale një foto me portierin Erind Selmaj, i cili prej vitesh është pjesë e Vllaznisë. I ka bërë një ofertë për t’iu bashkuar te Vushtrria në Kosovë. Synimi është i qartë: të ngjiten në Vala Superliga e Kosovës.
Klubet e atjeshme dukshëm i kanë rritur pagat dhe janë të shumtë futbollistët që po lëvizin përtej kufirit. Trajneri Nikaj ka piketuar disa lojtarë nga kampionati ynë dhe njëri prej tyre luan në sulm dhe është aktivizuar në Kategorinë e Parë kryesisht.
“Sport Ekspres” mëson se ai është Anton Lleshi, sulmuesi lezhjan që sezonin e fundit e mbylli me Korabin. Realizoi tre gola me dibranët në gjysmë sezoni, kurse më parë kishte shënuar edhe dy herë me Ilirinë. Me fushë-krujasit ai ka regjistruar edhe performancën më të mirë, teksa në edicionin 2015-2016 realizonte 17 gola. Gjithashtu ka provuar të luajë edhe me Erzenin. Tanimë sulmuesi 25-vjeçar është drejt kalimit në Kosovë.