Lojtarët e kampionatit shqiptar kanë një tendencë të çuditshme të largohen nga Superiorja dhe Shqipëria me patjetër. Nuk ka rëndësi kampionati, apo klubi ku shkojnë, mjaftohen me largimin nga kampionati ynë “super”. Së fundmi, mesfushori Idriz Batha u largua nga ekipi i Partizanit dhe zgjodhi të vazhdonte karrierën në Greqi me AE Larisën.
Ikja e Bathës nga “demat” ishte e imponuar, pasi nuk arriti të gjente gjuhën e përbashkët për të rinovuar kontratën. Drejtuesit e kuq donin t’i ulnin rrogën, ndërsa 26-vjeçari kishte pretendime krejtësisht të tjera. Gjirokastriti zgjodhi që të largohej dhe të mos rinovonte me kryeqytetasit. Tratativa me Shkëndijën e Tetovës nuk shkoi si duhet kështu që në sfond i doli kampionati grek.
AE Larisa nuk është një ndër ekipet më të mira në Greqi. Informacionet që vijnë nga shteti fqinj bëjnë me dije se drejtuesit nuk janë aspak të rregullt me rrogat, ndërsa pretendimet e tyre nuk janë të larta. Mjafton të qëndrojnë në Superligën greke. Nga një ekip që e konsideron dështim pjesëmarrjen në Europë, siç është Partizani, te një skuadër që lufton për mesin e artë, nuk duket një zgjedhje e mirë. Në skuadër Batha do të gjejë dhe shqiptarin tjetër Fatjon Andonin.