Mrekullia e Kaizerslauternit, debutuesja e vetme që ka fituar titullin në Gjermani

Jetojmë në një epokë ku mrekullitë në futboll janë gjithnjë e më të pakta, ku Lester Siti në Angli është një histori për përralla dhe që zor se do të përsëritet më. Nëse në Angli edhe ndodh, në Gjermani duket e paimagjinueshme që ndonjë ekip i vogël të kërcënojë Bajernin, që e ka kthyer në pronë private kampionatin dhe nuk e konsideron sukses, kur dështon në Champions.

E imagjinoni dot që një skuadër debutuese t’i rrëmbejë titullin Bajernit? Njësoj si të bjerë borë në korrik në Tiranë, apo jo? Kështu thoshin të gjithë edhe 20 vite më parë, por ka ndodhur.

Kur në vitin 1996 Kaizerslauterni ra nga Bundesliga, tifozët u tronditën keqas (nuk e kishin menduar kurrë që këto ditë Lauterni do binte në Ligën 3). Bëhej fjalë për një nga klubet themelues të Bundesligës, që kishte dalë i katërti një sezon më parë, kishte luajtur në Kupën UEFA dhe vetëm një javë pas rënies nga Bundesliga luajti finalen e kupës së Gjermanisë, duke e fituar.

Megjithatë, te Lauterni u treguan të zgjuar, sepse klubi nuk lejoi asnjë lojtar të rëndësishëm të largohej, duke mbajtur edhe emra të njohur si Mikael Shjonberg, Mihal Kadlec, Pavël Kuka dhe Andreas Breme, kampion bote në vitin 1990. Si shenjë e fatit, Bajerni i Mynihut largoi trajnerin Oto Rehagel, i konsideruar u tepërt, ndaj Lauterni përfitoi, duke e punësuar.

Lauterni mbeti një skuadër Bundeslige që luante në Bundesligën 2 dhe kampionati u fitua me lehtësi të madhe, në stadiumin e tejmbushur në çdo ndeshje, me mesatarisht 36.700 tifozë për ndeshje, me shumë se një vit më parë në Bundesligë. Fitoret dhe atmosfera e mrekullueshme futen në skuadër mentalitetin fitues.

Ndërkohë, Bajerni fitonte titullin dhe sezonin pasardhës Bundesliga niste me sfidën mes dy kampionëve të dy kategorive. Bujshëm, një gol nga Shjonberg 10 minuta para fundit i dha fitoren Kaizerslauternit dhe më shumë nga të gjithë festoi Rehagel, pasi nuk ishte larguar paqësisht nga Bajerni.

Team captain of German soccer champion Kaiserslautern, Ciriaco Sforza, displays the trophy in Hamburg’s Volkspark Stadium on Saturday May 9, 1998, prior to the season’s last match Hamburg vs Kaiserslautern. Kaiserslautern decided the chamiponship already last week but the trophy was traditionally handed over on the last match. Left coach Otto Rehhagel, right Andreas Brehme. (AP Photo/Michael Probst)

U duk një surprizë që nuk do përsëritej më, por Lauterni e kishte seriozisht dhe pasi mori kreun në javën e katërt, nuk e lëshoi më, pavarësisht nga ndjekja e gogolit Bajern. Në fund erdhi titulli i katërt kampion.

21 gola i shënoi Olaf Marshall, sulmues u cili në kombëtare nuk u bë kurrë i rëndësishëm, por në Lautern ishte një fenomen, ashtu si Çiriako Sforca, mesfushori zviceran që la Bajernin për Interin, por pas një sezoni në Itali u kthye te Lauterni dhe u bë një lojtar kyç. Në krah të tij ishte një djalosh 21-vjeçar që vraponte pa fund dhe quhej Mikael Balak, ai që për më shumë se një dekadë do bëhej lideri i Bajernit dhe Gjermanisë.

70.000 persona mbushën rrugët e Kaizerslauternit për të festuar një nga përrallat me të bukura në historinë e futbollit. Autori quhej Oto Rehagel, ai që në vitin 2004 vendosi të shkruante një tjetër epope, duke u bërë Homeri i ri i Greqisë, me triumfin e pabesueshëm në Kampionatin Europian në Portugali. Dy histori për filma..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *