Mbrojtësi i Bajernit të Mynihut Mats Humels shprehet se dhimbja e humbjes ndaj Real Madridit në gjysmëfinalet e Champions League do të mbetet një peng që nuk do të harrohet lehtë në mendjen e tij.
Ish-mbrojtësi i Dortmundit kërkonte finalen e parë me Bajernin, ndërkohë që e kishte luajtur pikërisht me Dortmundin, por nuk qe e thënë as këtë radhë, pasi Reali kaloi edhe me pak, ose shumë, fat.
Sipas Humelsit, Bajerni nuk bëri aq sa duhej për të shkuar në finale, mendim që e kishte edhe Toni Kros pas ndeshjes: “Ne e merituam. Edhe Toni Kros më tha pas ndeshjes: ‘Nuk e fituam ne, e keni vetë fajin që nuk jeni në finale’. Për fat të keq, ka të drejtë, shkatërruam gjithçka me duart tona”, tha Humels, dukshëm i zhgënjyer.
“Mendoj se është një zhgënjim edhe më i madh se vjet, sepse ishim kaq pranë kualifikimit dhe nuk është se ndodh çdo ditë të dominosh ndaj një prej ekipeve më të mira në botë. Megjithatë, Reali u kualifikua sërish dhe ndeshje të tilla mbahen mend në karrierë. Ndershmërisht e them, mendoj se do të na dhembë edhe pas 10 vitesh”.