Fundjava e hidhur e humbjes ndaj Juventusit mund të ketë pasoja të rënda për Interin, që tashmë vetëm te matematika bazohet për të kapur vendin e katërt, që shkon në Champions League. Katër pikë nga Roma e Lacio, me 3 ndeshje të mbetura dhe me një takim direkt ndaj Lacios në javën e fundit, bëjnë që Interi të shohë me frikë nga e ardhmja, sepse Champions League ishte objektivi minimal këtë sezon dhe dështimi do të kishte pasoja sidomos te buxheti i klubit. Me vendin e pestë, Interi do të detyrohet të shesë një lojtar të rëndësishëm, ndërsa blerjet përfundimtare të Rafinjës dhe Kanselos do të ndërlikoheshin shumë.
Ashtu si Ikardi në fund të ndeshjes, edhe drejtuesit e tifozët e Interit janë të dëshpëruar, sepse në dy minuta sezoni ka ndryshuar totalisht dhe nga njëra anë Juventusi ka mbërthyer titullin, ndërsa nga ana tjetër Interi sheh t’i zbehet ndjeshëm ëndrra Champions, ku Interi nuk shkon prej 7 sezonesh.
Pronarët kinezë të Interit synojnë që klubi zikaltër të mbijetojë me forcat e veta, ndaj për të respektuar Fair Play-n financiar, është detyrim shitja e një prej Ikardit (Reali e d), Perishiçit (e kërkojnë në Angli) apo Shkriniarit (Barcelona është gati).