Ilir Daja u duk mjaft i qetë pas ndeshjes teksa për “Gol pas goli” në Supersport theksoi se kjo humbje erdhi nga dëshira madhe e skuadrës së tij për ta festuar ndaj Kukësit titullin kampin. Në të njërën kohë trajneri i korçarëve ka komentuar dhe rastin e golit, penalltisë që pretendon Kukësi, por dhe të ardhmes, pasi në qershor i përfundon kontrata.
Sa keq ju vjen që nuk mundët që të festonit titullin në një stadium të tejmbushur?
Pritshmëria ishte e madhe për të festuar. Ajo pjesë e daljes me shumë forca në pjesën e dytë kur skuadra kundërshtare kishte presing difensiv dhe mbrohej mirë, duhet të ishim shumë më të qetë në ndryshimin e krahut të lojës. Duhet të ishim më të ftohtë nga koka, por kur ke 14 pikë diferencë dhe qyteti është përgatitur për festë kjo dozë aventure do ishte prezent. Është humbja e parë që marrim në shtëpi si në Shqipëri dhe në Europë. Kemi zhvilluar 53 ndeshje. Sot prisnim fitore, sepse Skënderbeun nuk e kënaq asnjë rezultat tjetër.
Rasti i golit dhe penalltisë që pretendon Kukësi…
Do të thosha që në raport me kundërshtarin ishim superior, prodhuam më shumë. Fati ndoshta nuk ishte me ne, por një javë më herët shënuam në minutën e fundit dhe kjo është pjesë e lojës. Ne duhet të administronim dhe duhet të kishim një lloj shkallëzimi në mesfushë dhe në mbrojtje, pasi duhet pritur kur ke një skuadër si Kukësi me lojtarë cilësor para. Kukësi duhet përgëzuar, pasi kishte zgjedhur atë strategji për të na goditur me kundërsulme, edhe pse nuk ndodhi. Ndoshta ishte një penallti për Kukësin, por faull kur u shënua golin ishte në favorin tonë, pasi sulmuesi ka tërhequr Micin. Më thanë që dhe rasti i penalltisë është shumë i diskutuar. Janë pjesë loje dhe Kukësi na ka goditur me këtë moment kur ne ishim hedhur totalisht në kërkim të fitores. Skënderbeun nuk e kënaq një barazim. Edhe diferenca na e bën të mundur këtë aventurë.
Kontrata ju mbaron në qershor, është pezull nga vendimi i UEFAS rinovimi juaj?
Ne jemi të fokusuar te puna jonë. As mua nuk më ka shkuar në mendje se më mbaron kontrata në qershor ashtu si dhe drejtuesve. Situata që kemi besojmë se do rezultojë pozitive që të marrim pjesë në Europë, por duhet të ja lëmë kohës. Ne jemi të përgatitur për të bërë diçka të tillë. Impenjimi që kanë pasur drejtuesit në Apel ka bërë të mundur që vëmendja të jetë te kjo gjë sesa te kjo pjesë. Ne do bëjmë punën tonë, sepse shohim se ekipi pavarësisht se ka marrë një goditje psikologjike shkon përpara dhe është afër titullit. Jemi dhe në finalen e Kupës së Shqipërisë.
Do të ketë rinovime në skuadër?
Kemi bërë 53 ndeshje, ku nuk i kanë bërë as skuadrat elitare në Euopë, ku kanë bërë 50-51, për ato që kanë marrë pjesë dhe në turet e tjera. Një pjesë e lojtarëve nuk mund të them se janë në fund të karrierë, ndaj duhet rinovim, por duke mbajtur këta që kemi, pasi nuk po tregojnë që po dorëzohen si fizikisht ashtu dhe nga ana psikologjike. Nuk e kanë ulur dozën psikologjike edhe pse janë shpallur shumë herë kampion. Çdo ekip ka nevojë për ndryshime, por ndoshta ky ka qenë sekreti, sepse ka mbajtur bazën kryesore të lojtarëve. Do ketë rinovime.