Gjergji Stefa
Ajo çka i ndodhi Migen Memellit – incidenti me të atin e kapitenit të skuadrës së 17-vjeçarëve të Tiranës – është shndërruar në një rast të përsëritur, sepse familjarët e një futbollisti gjithashtu të ri në Shkodër tentuan të trembin trajnerin Gjoka, duke e sulmuar gjithashtu me armë të ftohtë. Nëse ajo çka i ndodhi Gjokës ka tek-tuk ndonjë rrethanë lehtësuese, pasi ngjarja nuk ka ndodhur në seancën stërvitore, ajo çka i ka ndodhur Memellit është shembulli më i qartë për t’u bërë shembull. Incidenti ndodhi në fushë, në prani të lojtarëve dhe publikut.
Nuk ka asnjë diskutim që presioni i prindërve, sjellja e tyre, në ndonjë kërcënimet apo tentativat për të korruptuar trajnerët vetëm e vetëm që t’i shohin fëmijët e tyre në fushë është një fenomen më i gjerë se sa këto dy raste aspak të izoluara, një rast i mirëfilltë studimi për shoqërinë shqiptare në përgjithësi, sindromën dhe paranojën e prindërve, apo mënyrën se si klubet përqasim sektorin e të rinjve, sjelljen me fëmijët dhe varësinë që kanë nga prindërit, sidomos në pagesat që bëjnë nëpër klube. Ca më shumë askush nuk beson se ky është vetëm fenomen shqiptar, por është fenomen i shoqërive në përgjithësi të pa emancipuara, shoqëri ku gjithkush beson që forca dhe paraja mund të blejnë gjithçka. Terreni u ka dhënë të drejtë deri diku, por në futboll ka ekzistuar dhe do ekzistojë gjithnjë ndryshe. Fusha nuk mund të blihet dhe shembujt e së shkuarës, ku fëmijë të prindërve me para apo me pushtet që kanë përfunduar pa futboll pas tentativave të dështuara, duhet të jenë një mësim i mirë për prindërit. Askush nuk ndihmon asnjë prej fëmijëve të tij nëse sillet kështu. Minimalisht asnjë klub nuk do dëshironte të kishte në gjirin e tij një fëmijë apo të ri me një familje problematike, pavarësisht talentit të madh që djali mund të ketë.
Përtej kësaj, ajo çka bën përshtypje është indiferenca individuale apo kolektive e një klase trajnerësh, të cilët në unison duket sikur nuk ekzistojnë. Shoqata e trajnerëve nuk ka mbajtur asnjë qëndrim zyrtar për incidentet e fundit, ndërkohë që kudo në botë përveç qëndrimit do shkohej deri në protesta apo greva ndeshjesh, deri sa pse jo të kishte një farë sensibilizimi. Kjo shoqatë nuk funksionon për një mijë e një detaje, por në ndonjë rast ndoshta nuk di si të funksionojë. Shoqata tregoi gjithashtu që është krejtësisht e pandjeshme. A thua vallë trajnerët nuk e duan njëri-tjetrin, apo të gjithë janë të zhytur në hallet tyre dh nuk u bën përshtypje që ajo thikë në mos është drejtuar dhe nuk është denoncuar, do drejtohet në të ardhmen dhe ndaj tyre.