Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, është paraqitur sot para mediave për të folur për ndeshjen e radhës në kampionat, kundër Teutës, por ka prekur edhe tema të tjera me shumë rëndësi për futbollin shqiptar në këtë moment, si dënimi i Skënderbeut dhe ngjarja skandaloze në Shkodër, ku Ernest Gjoka u sulmua nga një person i armatosur me thikë.
“Është e tmerrshme, skandaloze, për fat në futboll nuk kam përjetuar një situatë të tillë Nuk është problemi se i ndodhi një trajneri, por është skandaloze dhe duhet patjetër të gjendet autori. Shkaku është banal, si ndodh rëndom në futbollin shqiptar, që kërkojnë të luajnë futboll pa e merituar. Kjo ngjarje duhet të zbardhet sa më shpejt, për të mirën e futbollit”.
Çështja Skënderbeu dhe dënimi i mundshëm nga UEFA mbetet temë e ditës: “Nuk duhet të gëzohemi. Kam qenë trajner i vitit të parë kampion i Skënderbeut dhe jam krenar për këtë fakt, sepse i hapi rrugës historisë së suksesshme të Skënderbeut. Po të mos ishim shpallur kampion, sponsorët mund të ishin larguar. Jam krenar për atë që kam bërë me Skënderbeun dhe skuadrat e tjera. Jam pjesë e komunitetit të futbollit dhe nuk më vjen mirë nëse do të merret vendim ashtu siç parashikohet për Skënderbeun, sepse do të ishte një goditje jo vetëm për atë ekip, por për të gjithë futbollin shqiptar”.
Flamurtari nesër ndaj Teutës, në Durrës: “Teuta është një skuadër që në fillim të kampionatit u formua për të qenë në pjesën e sipërme të renditjes, por nuk shkoi ashtu si e mendonin.. Patjetër ata kanë presion për situatën e vështirë ku janë, por ne kemi detyrat të jemi sa më të suksesshëm deri në fund të sezonit në të dyja kompeticionet”.
Duro kthehet në stol: “Ishte dënimi i parë që marr në më shumë se 20 vite karrierë, ishte për të prishur syrin. Ndoshta e kam tejkaluar pak me fjalorin, por dënimi i ndihmësit tim me 8 ndeshje ka qenë i pakuptimtë, vetëm për një fjalë, kur shikohet qartë se çdo javë ka gjykim të fakteve me dy standarde. Edhe me trajnerët dhe lojtarët ka dënime minimale në raport me dënimet shumë të ashpra ndaj Flamurtarit në këtë sezon. Patjetër që për Flamurtarin ku sezon ka qenë i jashtëzakonshëm nga gabimet e arbitrave”.