Në një sezon që nisi në mënyrë fenomenale dhe është shfryrë nga dhjetori e këtej, Interi mund t’i gëzohet sidomos zbulimit të një mbrojtësi të shkëlqyer si Milan Shkriniar. Sllovaku u ble nga Sampdoria për 23 milionë euro dhe është bërë një pikë kyçe në Milano, duke luajtur 24 ndeshje nga minuta e parë në Serinë A, me një rendiment mjaft të lartë.
Tani 23-vjeçari e pranon se e ardhmja e tij mund të jetë në ndonjë klub më të rëndësishëm, nga ata që luajnë në Champions League dhe që mbi të gjitha kanë shumë miliona, ato që ia ofruan Interit në janar, por oferta u refuzua. Reali, Barcelona, Mançester Junajtid dhe Mançester Siti përfliteshin si të interesuar për sllovakun, ndërkohë që në janar u fol për një ofertë prej 60 milionë eurosh, të refuzuar nga Interi.
Tani, duke folur për sllovaken “Sport”, Shkriniar konfirmon: “Di që në dimër erdhi një ofertë e pabesueshme. Lashë gjithçka në dorë të agjentit tim. Nëse do të ishte për të mirën e të gjithëve, do të isha larguar. Jam i lumtur që më duan klube të mëdhenj, por njëkohësisht u lumturova që Interi vendosi të mos më shiste.
“Më pëlqejnë shumë Reali e Barcelona, por e njëjta gjë vlen edhe për skuadrat e Mançesterit. Premier Liga është kampionati më i bukur në botë. Largimi im do të varej nga shumë gjëra, si marrëveshja mes klubeve dhe roli im i ardhshëm. Nëse do të duhej të largohesha dhe të ulesha në stol gjetkë, preferoj të qëndroj te Interi. Ka pasur shumë zëra rreth meje në janar, por nuk e mora kurrë parasysh idenë e largimit, sidomos në janar. Unë dua të vazhdoj të paraqitem mirë dhe të rritem. Do të shohim në verë çfarë do të ndodhë”.