Klop: Nëse them atë që mendoj, marr gjobën më të madhe në histori

Liverpuli barazoi 2-2 me Totenhemin dje dhe pas ndeshjes polemikat nuk kishin fund. Dy penallti për Totenhemin, e dyta në shtesë shumë e çuditshme, me Lamelën që u godit lehtë nga Van Dijk dhe arbitri dha penallti pas sinjalizimit nga anësori. Edhe penalltia e parë e Totenhemit, humbur nga Herri Kejn, krijoi shumë debate, sepse sulmuesi i Totenhemit ishte në pozicion jashtë loje kur mori pasimin nga Dele Alli. Një ndeshje e çmendur, që zbehu paraqitjen madhështore të Mohamed Salah, autor i dy golave spektakolarë, 21 në total në kampionat.

Protesta të ashpra nga Liverpuli, ndërsa pas ndeshjes trajneri Jyrgen Klop ishte i tërbuar: “Nëse them hapur atë që mendoj, do të marr gjobën më të madhe në historinë e futbollit. Kjo shtë puna ime, të krijoj tituj të fortë në gazeta, të ndëshkohem? Nuk ishte penallti. Më thanë që Lamela ishte pozicion jashtë loje kur e preku Van Dijk, i cili kur e pa Lamelën u mundua të mos e prekte. E pabesueshme, arbitri erdhi pas ndeshjes dhe më tha që gaboi, ishte pozicion jashtë loje. Po atëherë për çfarë dreqin bisedon me anësorin?

“Ishte qartësisht një ditë ters për atë anësor, penalltia e parë ishte një pozicion jashtë loje i dukshëm, ndër më të pastrit që kam parë, nëse rregullorja është ajo që dimë. Kur Alli nisi krosin, Kejn ishte pozicion jashtë loje, mbrojtja ime u tregua perfekte në atë rast”.

Ishte një ndeshje ku Totenhemi e kërkoi me ngulm penalltinë dhe Alli u ndëshkua me karton të verdhë për simulim, por rrezikon të dënohet me provë televizive, sepse bëri një gjest shumë të shëmtuar, duke u rrëzuar në zonë pa asnjë prekje.

“Qartësisht Totenhemi kishte vetëm një plan, të ryzoheshin sa më shpesh në zonë. Arbitri nuk e jep një penallti në minutën e 93-të pa qenë i sigurt 100%, duket qartë që Lamela rrëzohet në tokë pa e prekur ende lojtari ynë”, shfry pas ndeshjes Klop dhe nuk ka faj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *