Ish-mesfushori i Çelsit, Arsenalit dhe Real Madridit, Lasana Diarra, ka firmosur dhe është prezantuar sot me PSG-në, klub me të cilin ka lidhur një kontratë 18-mujore.
Tashmë 32 vjeç, Diarra ka vite që është larg formës optimale dhe ka pasur probleme pa fund, brenda e jashtë fushe. Përveç dëmtimeve serioze në gju, Diarra ka pasur edhe një betejë të gjatë ligjore me Lokomotivën e Moskës, klub me të cilin ka luajtur në sezonin 2013/14, por që u nda me gjyq dhe tashmë duhet t’i paguajë 10 milionë euro dëmshpërblim.
Ndoshta ky borxh ka detyruar Diarranë të luajë te Marseja për një sezon e gjysmë dhe të firmosë në Emiratet Arabe verën e shkuar, duke luajtur shumë pak aty.
Tani vjen kalimi, sërish milioner, te PSG, klubi i qytetit ku Diarra ka lindur dhe është rritur.