Duro: Nuk largoj askënd, jemi gati për çdo sfidë

Trajneri i Flamurtarit: Rezultatet e miqësoreve nuk më shqetësojnë aspak. Ky është grupi, ndërsa largimet janë zgjedhje personale të lojtarëve

Elton Nika

Flamurtari ka mbërritur në Shqipëri pas një faze përgatitore dyjavore në Antalia, ku lojtarët morën ngarkesën e duhur për  të përballuar me sukses pjesën e dytë të sezonit. Tashmë vëmendja kalon te kampionati dhe kupa, dy ndeshjet e para të vitit 2018, që Flamurtari do t’i luajë ndaj të njëjtit kundërshtar, Partizanit. Trajneri Shpëtim Duro ka një mendim mjaft pozitiv për fazën përgatitore të zhvilluar në Antalia. Në një prononcim për mediet ai ka folur për gjendjen e ekipit, ndeshjet miqësore merkaton dhe atë çfarë pret nga të tijtë në pjesën e dytë të sezonit.

– Duro, Flamurtari ka mbyllur fazën përgatitore në Turqi. Cili është vlerësimi juaj?

– Do ta vlerësoja mjaft pozitive, për vetë kushtet e akomodimit dhe të stërvitjes që kemi zhvilluar gjatë kësaj periudhe. Gjithçka ka qenë mjaft e mirë. Përjashtim bën ndoshta dita e fundit, kur lojtari ynë Muarem ka pasur një kontraktim dhe ky mund të konsiderohet momenti më i keq, megjithatë lojtari nuk do të mungojë gjatë. Gjithsesi, është një dëmtim që kërkon kohën e vet.

– Kemi të njëjtën situatë me Flamurtarin në ndeshje miqësore ashtu si në verë, pra mungojnë rezultatet…

– Duhet të kuptoni një gjë: ndeshjet miqësore nuk kanë pasur rëndësinë e rezultatit. Patjetër që gjithkush dëshiron t’i fitojë, madje çdo ndeshje, por në miqësore për mua nuk ka rëndësi rezultati. Edhe në rastet e golave që kemi pësuar, kemi qenë thuajse me formacionin e dytë në fushë. Prandaj vlejnë ndeshjet miqësore në këtë periudhë, për të parë gjendjen e çdo lojtari dhe grupit, apo edhe për provuar skemat e lojës. Në verë nuk patëm rezultate, por gjatë kampionatit kemi qenë shumë të fortë.

– Si e prisni pjesën e dytë të kampionatit?

– Padyshim që tashmë çdo gjë vështirësohet dhe të gjitha skuadrat do të kërkojnë të realizojnë objektivat e tyre. Natyrisht që do të shikojmë ndeshje pas ndeshjeje të bëjmë më të mirën për të marrë maksimumin. Jemi përforcuar dhe skuadra është gati të luftojë fort në çdo takim.

– Në mes është edhe Kupa e Shqipërisë. Çfarë pretendimesh ka Flamurtari në këtë kompeticion?

– Po, është edhe kupa, një kompeticion që ka rëndësi të veçantë. Kupa ka një specifikë tjetër, pasi janë dy ndeshje që vendosin. Ne do të kërkojmë maksimumin edhe në kupë dhe do të shohim hap pas hapi, sipas kundërshtarit.

– A mund të themi se merkatoja është mbyllur për Flamurtarin?

– Do të thosha po. Kemi bërë katër afrime dhe kemi pasur edhe ndonjë largim. Në fakt, unë nuk largoj njeri, por lojtarët që kanë pasur pak mundësi të aktivizohen, e kanë bërë zgjedhjen. Liçaj është një lojtar, i cili është larguar nga Flamurtari. Ishte një zgjedhje e bërë nga vetë lojtari, të cilin e vlerësoj. Në atë repart luan një nga lojtarët më cilësorë tanët, siç është Siljanovski, dhe Liçaj ishte i vetëdijshëm për këtë. Është 31 vjeç dhe në këtë periudhë kërkon të luajë sa më shumë, ndaj dhe bëri këtë zgjedhje. Mendoj se ky grup është, pasi do të përballojmë shumë sfida. E ritheksoj, nuk largoj dhe as kam larguar njeri nga skuadra.

 

“Danilo Alvesh nuk preket”

Kohët e fundit është folur shpesh për një shkëmbim të Danilo Alvesh me Ardit Hoxhajn, i huazuar te Flamurtari nga korçarët, plus një sasi parash nga këta të fundit, por në Vlorë janë lodhur nga këto spekulime. Trajneri Shpëtim Duro për “Sport Ekspres” i sqaron të gjithë, tifozët kuqezinj, por edhe lojtarin, nëse ai ka ndonjë dyshim: “Po përgatitemi për kampionatin dhe nuk është aspak e vërtetë që Alvesh do të largohet nga Flamurtari. Nën drejtimin tim, në pjesën e parë të sezonit Danilo ka qenë titullar i padiskutueshëm, aq më shumë që ka qenë edhe kapiten i skuadrës në 5-6 ndeshjet e fundit, kur nuk ka qenë Bushiç.
Patjetër që edhe vetë Alvesh nuk ndihet mirë që nuk ka shënuar shumë gola, por në muajt e fundit, për mënyrën e lojës ka qenë një ndër lojtarët kryesorë të skuadrës me rendimentin që ka shfaqur. Kam besim se edhe në pjesën e mbetur të sezonit, pavarësisht nga konkurrenca e madhe, ai do të jetë një ndër pikat kyçe të Flamurtarit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *