Vllaznia është në plan të parë në këtë moment! Voltana Ademi ka si problem madhor këtë vit Vllazninë. Që prej fillimit të sezonit, kryebashkiakja dhe njëkohësisht presidente e ekipit Voltana Ademi nuk e ka braktisur ekipin. Kështu ka bërë këtë 2018-të. Dje ajo ka qenë në një vizitë blic në Ulqin për të takuar ekipin dhe për ta motivuar e përkrahur për vitin e ri futbollistik. Ademi ka udhëtuar drejt Ulqinit së bashku me administratorin Gjyrezit dhe lojtarin më të ri të skuadrës, Sedat Berisha. Takimi është zhvilluar në hotel “Dajti”, pronë e një shqiptari, Nexhad Hasanaga, i cili është kujdesur në maksimum që gjithçka të ishte perfekte, aq sa shërbente edhe vetë në restorant. Ademi ka folur gjatë me ekipin dhe në fund ka uruar që 2018-ta të jetë sezoni i kthesës për ekipin e Vllaznisë
Seanca e parë ulqinake – Kuqeblutë nuk kanë kohë për të humbur sepse ditët e qëndrimit në Ulqin janë të pakta, vetëm 12-të tilla, dhe brenda këtij harku kohor, atyre do t’i duhet të bëjnë gjithçka që skuadra të vijë në formën e duhur sportive. Ndaj për këtë, falë edhe afërsisë gjeografike që Shkodra ka me bregdetin ulqinak, skuadra nuk ka vonuar dhe në orët e mesditës së djeshme ka mbërritur në Ulqin, dhe me t’u akomoduar në kampingun sportiv, stafi teknik i drejtuar nga trajneri Gjoka nuk ka hezituar të zhvillojë menjëherë pasditen e djeshme seancën e parë stërvitore. Nga sa bëhet e ditur ka qenë një seancë e plotë dhe me të gjitha elementet e duhura që përmban programi. Të dielën skuadra do të stërvitet dy herë në ditë.