Liçaj qëndron në Vlorë, Zuka prezantohet: Zgjedhja e duhur për karrierën time

Lojtari i linjës së majtë është prezantuar ditën e djeshme, ndërkohë që ka aludime për largimin e Mersinit. Gjirokastriti: Janë vetëm fjalë, periudhë merkatoje

Elton Nika

Akordi ishte arritur që në ditët e fundit të vitit 2017, por Flamurtari e ka prezantuar zyrtarisht afrimin e katërt në merkato ditën e djeshme. Bëhet fjalë për lojtarin e linjës së majtë, Fisnik Zuka, futbollist ky i ardhur nga skuadra e Shkupit. Prej vitit 2015 ai luante aty, duke qenë një titullar i padiskutueshëm tek skuadra shqiptare që garon në kampionatin maqedonas. Tashmë Zuka bëhet pjesë e kampionatit shqiptar, duke nënshkruar pikërisht për Flamurtarin. Mbrojtësi i majtë njihet mjaft mirë nga trajneri Shpëtim Duro, që tashmë e ka “blinduar” krahun e majtë, ku luajnë aktualisht edhe Musta me Mersini. Para Zukës te Flamurtari janë zyrtarizuar Muarem, Gafuri dhe Nedeljkoviç. Mësohet se lojtari ka firmosur një kontratë të vlefshme për 18 muaj me skuadrën vlonjate. Vetë Zuka, i cili deri në këtë momente nuk ishte deklaruar rreth nënshkrimit të kontratës tek Flamurtari, gjatë momentit të prezantimit është parë dukshëm i kënaqur për faktin se tashmë do të nisë një tjetër aventurë dhe pikërisht në kampionatin shqiptar. “Mendoj se është padyshim zgjedhja e duhur për të vijuar karrierën time në një skuadër me emër të madh në futbollin shqiptar. Shpresoj shumë që të jap gjithmonë maksimumin në një skuadër ku rivaliteti dhe cilësia nuk mungojnë. Padyshim kërkohet maksimumi që në stërvitje. Jam mjaft i kënaqur që jam pjesë e Flamurtarit, një hap përpara dhe i rëndësishëm në karrierën time”, ka deklaruar 22-vjeçari Zuka.

LARGIMET – Afrimi i Zukës te Flamurtari solli menjëherë aludimet për largime nga Flamurtari, konkretisht gjithçka u lidh me emrin e Ergis Mersinit, i ardhur nga Luftëtari në Vlorë. Për të u fol se largimi ishte i pashmangshëm, madje duke u bërë fakt i kryer diçka të tillë. Gjithsesi asgjë nuk është reale, të paktën për momentin. Mersini ka qenë i pranishëm në stërvitjen e ditës së premte me Flamurtarin, duke kryer edhe seancën e parashikuar. “Jam në stërvitje me Flamurtarin, si zakonisht. Ndoshta llafet në këtë periudhë merkatoje nuk mungojnë, si edhe flitet për largime apo afrime tek një apo tjetër skuadër. Aktualisht jam duke vijuar përgatitjet me Flamurtarin”, ka deklaruar Mersini, emri i të cilit gjatë kësaj periudhe është lidhur me një kalim te Kamza ose te Vllaznia. Para nisjes së Flamurtarit drejt Turqisë për fazën përgatitore pritet të sqarohet gjithçka në lidhje me të ardhmen e tij

PËRGATITJET – Vlonjatët vijojnë me dy seanca përgatitjet e tyre në Vlorë. Paradite skuadra ka punuar deri rreth orës 11:00, ndërsa në orën 14:00 skuadra ka zbritur sërish në fushën e lojës për seancën e pasdites. Një periudhë e ngarkuar për futbollistët e Flamurtarit,të cilët pas pushimeve po marrin ngarkesën e duhur, që në ditët e ardhshme në fakt do të rritet edhe më shumë, sidomos gjatë qëndrimit në Antalia për fazën përgatitore.

Liçaj qëndron, Neziri me “valixhe në duar”
Me katër afrime dhe vetëm një largim për momentin, atë të Ivan Jakovljeviç, vlonjatët kanë tashmë një organikë të pasur për pjesën e dytë të sezonit futbollistik. Priten të tjera largime nga Vlora dhe emir i radhës pritet të jetë ai i mesfushorit Haxhi Neziraj. Nuk dihet ende nëse lojtari do të jetë pjesë e skuadrës në fazën përgatitore të Turqisë, por edhe nëse udhëton drejt Antalias, natyrisht për futbollistin në fjalë do kërkohet një sistemim sa më i shpejtë. Neziraj ka luajtur shumë pak gjatë pjesës së parë të sezonit dhe në vijim hapësirat do të jenë edhe më të pakta për mesfushorin. Lejdi Liçaj ishte emiri i folur për të shkuar drejt Gjirokastrës, por edhe në fund të vitit lojtari konfirmoi se nuk e dëshironte një largim në huazim. Mundësitë janë më të mëdha që të vijojë të qëndrojë në Vlorë, duke qenë një lojtar me vlera në krahun e djathtë, qoftë në mbrojtje, por edhe mesfushë. Në ditët në vijim pritet të shihet ndonjë largim tjetër, por ndoshta vetëm në huazim nga Vlora, që t’u jepet mundësia për t’u aktivizuar sa më shumë në pjesën e dytë të sezonit futbollistik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *