Skënderbeu në KAS, një listë shkeljesh nga Etika

Skuadra korçare ka hedhur zyrtarisht në gjyq Federatën Shqiptare të Futbollit, duke ankimuar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv vendimin e heqjes së titullit dhe gjithçkaje tjetër përfshin ai dënim, me pikët e hequra dhe me gjobën financiare

Skënderbeu kërkon në KAS Lozanë titullin e hequr nga Komisioni i Etikës më 23 qershor. Edhe pse Partizani pretendon prej muajsh titullin, Skënderbeu nuk është pajtuar me vendimin e Komisionit të Etikës. Skuadra korçare ka hedhur zyrtarisht në gjyq Federatën Shqiptare të Futbollit, duke ankimuar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv vendimin e heqjes së titullit dhe gjithçkaje tjetër përfshin ai dënim, me pikët e hequra dhe me gjobën financiare. Brenda më pak se dy javësh, skuadra korçare, siç edhe pati deklaruar, ka regjistruar një apelim në “KAS”-in e Lozanës, i cili më 11 gusht të vitit 2017 ka njoftuar FSHF-në. Gjithçka është bërë brenda afatit 21-ditor, nga dhënia e vendit të Komisionit të Etikës, pra nga 23 qershori i vitit 2017, kur Komisioni i Etikës ka njoftuar Skënderbeun për vendimin e zbardhur të dënimit.

“RTSH” dhe “Top-Channel” kanë publikuar dje detaje nga ky apelim që do të shqyrtohet një juri e përbërë me kryesues nga gjyqtari Frensis De Veger.

Në thelb, Skënderbeu ka ankimuar mënyrën e marrjes së këtij vendimi dhe mbi të gjitha faktin që vendimi nuk është i bazuar në asnjë nen të Kodit të Etikës, por korrespondon me krijimin e një precedenti, duke qenë që baza ligjore nuk e parashikon një shkelje të tillë. Sipas Skënderbeut, dënimi është marrë një bazë të një vendimi administrativ të KAS Lozanës, që Etika e ktheu në vendim disiplinor. Por vendimi disiplinor do prova të drejtpërdrejta, që Etika nuk i ka pasur në dispozicion. Dhe sipas Skënderbeut, raportet e UEFA-s nuk përbëjnë provë për një vendim të tillë disiplinor. Po kështu, nuk ka prova shtesë siç janë transaksionet bankare apo lëvizjen e parave, përgjime apo pamje filmike. Skënderbeu pretendon se Etika nuk ka dëshmitarë, pasi vetëm dy persona janë pyetur dhe ata janë nga radhët e Skënderbeut. Sipas Skënderbeut, klubit nuk i është vënë në dispozicion aktakuzë dhe nuk u janë vënë në dispozicion procesverbalet e mbledhjeve të Etikës edhe pse janë kërkuar në dy raste nga korçarët. Edhe ligji material dhe procedural (kodi i disiplinës) është zbatuar gabim nga Etika. Shkurt, Skënderbeu, pretendon se është dënuar vetëm me dyshime dhe asgjë më shumë.

Këto, por edhe disa akuza të tjera ndaj FSHF-së, duket se janë një pikë e fortë, ku skuadra e Skënderbeut shpreson të shfuqizojë të plotë vendimin e Etikës. Megjithatë, kjo betejë ligjore mes skuadrës 6 herë kampione të vendit dhe organit qeverisës të futbollit shqiptar zgjat që prej muajit gusht të vitit 2017, e brenda janar-shkurtit të vitit 2018 do të merret zyrtarisht një vendim nga Këshilli i Arbitrazhit Sportiv, nga i cili nuk përjashtohet edhe kthimi i titullit te Skënderbeu. Kjo është edhe arsyeja, që aktualisht ai titull nuk i është dhënë Partizanit, siç pretendon, duke qenë se ishte në vendin e dytë në renditjen e atij sezoni. Gjithsesi, në 2018-ën do të shohim të reja përsa i përket çështjes së KAS Lozanës dhe kërkesës së Skënderbeut për titullin e hequr.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *