Klubi i Orikumit kërkon t’i shkojë deri në fund dhe kërkon të marrë 3 pikët në tavolinë për sfidën e zhvilluar në Elbasan pak javë më parë. Drejtuesit e skuadrës nga qyteza e vogël pranë Vlorës i janë drejtuar me një tjetër shkresë zyrtare FSHF-së, ku edhe kanë apeluar vendimin e Disiplinës, i cili nuk mori parasysh kërkesën e orikasve për pikët në tavolinë.
Dy ditë më parë, me një shkresë, drejtuesit më të lartë të Orikumit kanë kërkuar të drejtën që sipas tyre është shkelur rregullorja nga Elbasani, i cili nuk ka bërë pagesën e pjesës së mbetur të dënimit duke e konvertuar me gjobë të lojtarit Renato Hyshmeri, e si rrjedhojë duhet që të humbasë ndeshjen në “tavolinë”. Sipas kërkesës së bërë nga drejtuesit e skuadrës jugore, vendimi i Komisionit të Disiplinës, i cili nuk e ka marrë përsipër kërkesën e bërë nga klubi bregdetar, është tërësisht i pabazuar në prova.