Trajneri i Kukësit Mlladen Milinkoviç pas ndeshjes ishte i kënaqur me rezultatin. Në të njëjtën kohë ai vuri theksin te fakti se e gjithë vëmendja e tij është te përballja me Teutën. Edhe një herë tjetër tekniku serb tregon se ai beson te titulli kampion. Hakmarrje ndaj Tiranës për Superkupën? Fjala e vetme për 49-vjeçarin për momentin është vetëm Teuta.
Me kualifikimin thuajse të sigurt aktivizuat shumë lojtarë të rinj, morët sinjale pozitive prej tyre?
Kishim avantazhin e ndeshjes së parë dhe ndaj futëm lojtarë të rinj, siç ishin tre lojtarët që i kishim marrë nga Kukësi B të cilët i aktivizuam. Jemi të kënaqur me rezultatin.
Ju pret Tirana në turin e ardhshëm, do kërkoni hakmarrjen për Superkupën e humbur?
Për ne më e rëndësishme është Teuta tani. Ndeshjet e Kupës janë vitin e ardhshëm dhe si ne ashtu dhe Tirana do të kemi skuadra të tjera. Dëshira jonë është që ta kalojmë dhe Tiranën.
Presidenti ju ka konfirmuar deri në fund të sezonit, ju jep akoma më shumë besim kjo gjë?
Ne do të luftojmë deri në fund të sezonit për të dy trofetë. Qëllimi ynë janë të dy trofetë dhe ne do të japim maksimumin për t’i marrë që të dyja. Koha do ta tregojë, por besoj se në pjesën e dytë të sezonit do të kampionatit do të kemi një skuadër shumë më të fortë se kjo aktualja.
I keni piketuar lojtarët që do të vijnë në janar?
E dimë të gjithë që në merkaton e janarit është e vështirë që të gjesh lojtarë të lirë dhe të mirë. Kemi piketuar disa lojtarë, por për ne e rëndësishme është të fitojmë me Teutën.