Më në fund… Milani i Gatuzos!

Xhenaro Gatuzo bën debutimin e tij në “San Siro” si trajner i Milanit dhe merr fitoren e parë që kur është emëruar si zëvendësuesi i Montelës. E gjitha në një korniz të bukur festiv, teksa dëbora që ka përfshirë Milanon ishte edhe bukuria e ndeshjes… Por, në fushë, nuk ka folur moti por kuqezinjtë, me Xhek Bonaventurën, që siç duket është rilindur pas ndryshimit në stol. Dhe kështu, barazimi në sekondat e fundit në Benevento dhe humbja në Europë ndaj Rijekës mund të harrohen, për momentin.

Kuqezinjtë i kthehen suksesit dhe golave në shtëpi, diçka që nuk ndodhte prej 20 shtatorit, kur “Djalli” mundi ekipin e Spalit me rezultatin 2-0. Pikërisht prej asaj ndeshje, kuqezinjtë nuk gjenin golin në shtëpi, teksa kishin koleksionuar dy humbje dhe dy barazime. Një tjetër risi, në këtë ndeshje, ishte rikthimi te skema me katër mbrojtës, tre mesfushë dhe tre sulmues, me Borinin dhe Suson në krahë, që mbështetën Kaliniç.

Por, diferencën e bëri Bonaventura, në fillim me këmbë, pastaj me kokë. Në pjesën e parë, lavdi edhe për talentin e rritur në Milanelo, Simone Verdi, që shënoi një gol të bukur. Edhe pse Milani dominoi, sërish shfaqi disa sinjale shqetësuese në mbrojtje, ndoshta pjesë e frikës që i ka pushtuar. Megjithatë, ka krijuar dhe madje mund të shënonte më shumë se një gol. Një fitore me dhëmbë dhe që i jep pak siguri, edhe pse renditja nuk buzëqesh…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *