Dygolësh në Kukës, aty ku nuk kishte shënuar asnjëherë në karrierën e tij të gjatë. Një “Manxhukiç” i Superligës. Grintë, dëshirë, sakrifica… Lojtari që nuk do t’ia dijë të varë këpucët…
Ndoshta një ditë, kur të varë këpucët në gozhdë, do të na tregojë sekretin ose më saktë se ku e ka gjetur “eliksirin” e rinisë, edhe pse vitet mbi shpatulla, mes baltës, shiut, breshrit, fushave dhe terreneve të mjerueshme, kanë nisur të ndihen edhe për atë… Ndoshta mjekra dhe modeli i flokëve të ngjajnë me ato të një punëtori të devotshëm që fokusohet jo te look por te zanati i tij, të shënojë. Dhe, atë e bën më së miri, edhe në një fushë ku deri vjet ishte e ndaluar të fitoje, ndërsa sivjet mund të dalësh me 3 pikë dhe, të shënosh edhe dopietë… Rasti është i një ujku të vjetër të zonës, ndryshe i quajtur Fatjon Sefa…
Akrepat e orës kanë lëvizur edhe për të, me shpejtësi, teksa tashmë është 33 vjeç, por në fushë vrapon sikur të ishte 23… Dëshirë, grintë, sakrificë. Nëse do të krahasohej me një futbollist të huaj, identikiti perfekt do të ishte Mario Manxhukiç i Juventusit. E quajnë tashmë të plakur, por në fushë lufton sikur të ishte në një betejë për të mbrojtur shtëpinë…
Një histori, ajo e Sefës, e kaluar mes golave, vështirësive ekonomike, por gjithmonë brenda kufijve të Shqipërisë, edhe pse me cilësitë dhe karakteristikat, shumë mirë mund të ishte provuar edhe jashtë vendit. Nga Lushnja te Lushnja, është hera e katërt në 15 vjet që mban veshur lëkurën e dytë, fanellën e ekipit myzeqar… Qyteti i Lindjes kthehet në forcë për të dhe vitet mbi supe nuk i tregon. Sepse, për një sulmues që kudo ku ka luajtur ka treguar vlerat e tij (qoftë Skënderbeu, qoftë edhe Dinamo, Besa dhe Shkumbini), të realizosh detyrat është një lojë fëmijësh. Edhe pse, jo edhe aq, në “Zeqir Ymeri”, aty ku dje realizoi dopietë.
Lista e zezë – Pas ndeshjes, sulmuesi i Lushnjes, në një prononcim për “Sport Ekspres”, u shpreh: “Jam i lumtur për faktin se i dhashë skuadrës 3 pikët. Duke parë që jemi në një situatë shumë të keqe, kemi kohë që duam ta rrisim lojën dhe të arrijmë objektivin, që është qëndrimi në Superiore. Jam i lumtur pasi nuk kisha shënuar asnjëherë në Kukës gjatë gjithë karrierës. Ne jemi munduar që të luajmë futboll në çdo fushë, por duke pasur faktorë të ndryshëm ekipi nuk ka pasur besimin e plotë për të shfaqur mundësitë e veta. Sot e tregoi veten, ndoshta e gjetëm dhe Kukësin në një ditë të keqe dhe për fat të mirë arritëm që të merrnim pikë të plota. Dua t’i falënderoj djemtë se dhanë më të mirën, ne do të hymë në çdo fushë për të marrë maksimumin”.