Skënderbeut i mjafton Kelmendi në Lezhë, Daja: Të rinjtë duhet të përfitojnë

Një gol i talentit nga Kosova në pjesën e parë i jep ekipit korçar suksesin, duke i lehtësuar gjërat për ndeshjen e kthimit. Lezhjanët kontestojnë gjykimin

E mërkurë, 29 nëntor 2017, ora 14:00, stadiumi Besëlidhja, Lezhë

BESËLIDHJA-SKËNDERBEU 0-1
Shënues: Kelmendi 28′

BESËLIDHJA: Bajri, Dore, Dibra, I.Kamara (Hidri 86′), Ndreca, Met’hasani, Hepaj, I.Kamara, Dyca (Frroku 46′), O.Kamara, Bongura (Konte 64′), Ajazi. Të gatshëm: Demi, Vocaj, Malaj, Përgjoni. Trajner: G.Lani.
SKËNDERBEU: Teqja, Lulaj, Jashanica, Aliti (Taku 69′), Pëllumbi, Shkodra, Nimaga (Mara 75′), Demte, Sahiti (Berisha 85′), Gripshi, Kelmendi. Të gatshëm: Braçe, Mici, Xhejms, Gavazaj.
Trajner: I.Daja.
Gjyqtarë: K.Shahini, F.Lama, H.Lisaku (Durrës)
Gjyqtar i 4-t: I.Myrtja
Delegat: J.Bespalla
Vëzhgëues: M.Shkëmbi
Kartonë të verdhë: Dyca 38′ / Teqja 50′

Bernard Gjikolaj

Ndeshja Besëlidhja-Skënderbeu, e vlefshme për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, është vendosur nga një gol i Kelmendit në pjesën e parë. Korçarët kanë marrë fitoren në këtë transfertë dhe kanë hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në turin çerekfinal, pasi lezhjanët e kanë të gati pamundur ta përmbysin këtë humbje në ndeshjen e kthimit.
Loja ka nisur e shpejtë, ku të dyja skuadrat kërkojnë të shkonin sa më shpejt në zonat respektive për të gjetur golin. Të parët që rrezikojnë janë korçarët dhe Demte, vetëm pas 2 minutash, gjuan në hyrje të zonës, por Bajri dhe më pas Dibra largojnë topin. Demte provon më pas me një gjuajtje nga distanca, por portieri i Besëlidhjes është i vëmendshëm. Pas këtyre dy rasteve të Skënderbeut, loja kalon nën kontrollin e Besëlidhjes, që provon të shënojë me Ajazin dhe Hepajn, por pa rezultat, pasi mbrojtësi Jashanica është i saktë në ndërhyrje. Loja ka ritëm, por mungojnë rastet e pastra. Kelmendi fiton një goditje dënimi, që ekzekutohet nga Shkodra dhe topi kalon mbi traun e Bajrit. Ka një rast të mirë edhe Besëlidhja, kur O.Kamara pason në qendër të zonës, ku Ajazi gjuan me kthesë, por pa gjetur kuadratin. Organizohen korçarët, të cilët arrijnë të gjejnë golin e avantazhit. Sulm nga e djathta i Demtet dhe Nimagës, i cili gjuan, topi devijohet nga mbrojtja lezhjane dhe përfundon në këmbët e Kelmendit, i cili duket në pozicion të dyshimtë, gjuan dhe përshëndet rrjetën. Pas pësimit të golit, Besëlidhja i shton sulmet, por Jashanica, Lulaj dhe Aliti janë në lartësinë duhur, duke mos lejuar që sulmuesit lezhjanë të hyjnë në zonë. Ajazi përpiqet të godasë portën e Teqjas, por has në mbrojtjen e fortë të Skënderbeut.

Edhe pjesa e dytë e ndeshjes është me ritëm, me të dyja skuadrat që luajnë fort, por pa rezultat. Futbollistët e Besëlidhjes përpiqen të barazojnë dhe rrezikojnë disa herë. Ndreca, i ardhur nga mbrojtja, pengohet nga Teqja ngjitur me vijën ballore të zonës korçare dhe kryesori Shahini akordon goditje dënimi dhe karton të verdhë për portierin e Skënderbeut. Protestojnë lezhjanët në fushë dhe në stol, pasi gjykojnë se duhet dhënë karton i kuq. Goditja e dënimit i besohet Hepajt, por topi përplaset në mur. Loja vijon e bukur, me më shumë iniciativë nga lezhjanët, të cilët janë të vendosur për të barazuar. Ndreca sulmon nga e majta dhe gjuan në afërsi të zonës, por topi kalon ngjitur me pingulen e majtë të Teqjas. Skënderbeu organizon një sulm të shpejtë dhe Sahiti provon nga larg, topi përplaset te portieri Bajri, i cili nuk e kontrollon dot, por mbrojtësi Dibra largon rrezikun. Provon përsëri Ndreca nga e majta me një gjuajtje-kros, por Ajazi dhe Frroku nuk arrijnë të përfitojnë. Në minutën e 78-të, Kelmendi sulmon me shpejtësi dhe sapo futet në zonën e Besëlidhjes gjuan fort, por pret Bajri. Edhe 3 minutat shtesë nuk sjellin ndryshim rezultati, pasi mbrojtësi Jashanica, me shiritin e kapitenit në krah në këtë ndeshje, nuk lejon të kërcënohet porta e Skënderbeut. Mbyllet kjo ndeshje me fitoren minimale të korçarëve, por që u mjafton atyre për ta pritur në mënyrë komode ndeshjen e kthimit.

Lani: Na kënaq loja, kemi rezerva për gjykimin
Trajneri i Besëlidhjes, Gledis Lani, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij, pro ka pasur rezerva për gjykimin. Dy janë episodet e dyshimta për lezhjanët, goli i Kelmendit, ku ka pretendime për pozicion jashtë loje, si dhe rasti i ndërhyrjes së portierit Teqja, ku duhej dhënë karton i kuq: “Duke ditur se përballë kishim Skënderbeun, një skuadër që ka treguar se është nga më të mirat e futbollit tonë, pasi ka shkuar deri në grupet e Europa Ligës, ishim përgatitur maksimalisht për një rezultat pozitiv, por nuk ia dolëm. Jam i kënaqur me lojën e futbollistëve, sepse kjo ndeshje duhej të përfundonte në barazim ose me fitoren tonë. Goli i korçarëve na u duk se ishte i parregullt, pasi lojtari që shënoi ishte në pozicion jashtë loje. Gjithsesi, vendimi i gjyqtarit nuk kthehet pas, ashtu si dhe në rastin e ndërhyrjes së portierit Teqja jashtë zonës, ku duhej të ndëshkohej me karton të kuq, por iu dha vetëm një i verdhë. Kemi rezerva për gjykimin. Tani duhet të përqendruar totalisht te kampionati, konkretisht te transferta e Pukës ndaj Tërbunit. Kampionati është objektivi ynë kryesor, – ka theksuar pas ndeshjes trajneri Lani.

Daja: Të rinjtë duhet të shfrytëzojnë rastin
Për trajneri i Skënderbeut, Ilir Dajën, e rëndësishme ishte që ndeshja u luajt në një atmosferë dhe terren të mirë. Ai vlerësoi Besëlidhjen, ndërsa për të tijtë theksoi se të rinjtë duhet të shfrytëzojnë rastin për të merituar fanellën e titullarit: “E kemi në objektivat tona Kupën, pasi i kemi mundësitë për këtë, pavarësisht se sot u dhamë hapësirë futbollistëve të rinj, që kanë pasur një minutazh më të limituar aktivizimi. Jam shumë i kënaqur, që takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore, po ashtu edhe në një terren të mirë. Besëlidhja ka një skuadër të mirë, pjesën e dytë u mobilizua dhe luajti shumë mirë, duke kërkuar barazimin. Kërkoj nga futbollistët e rinj ta shfrytëzojnë rastin, kur aktivizohen si titullarë. Duhet të shpalos vlerat e tyre më të mira për të marrë fanellën e titullarit, pasi na duhen alternativat. Më vjen mirë që Lezha ka një skuadër të mirë dhe i uroj suksese, pasi i ka mundësitë për të ecur përpara. Tani shohim ndeshjet e radhës, Kukësin dhe Jang Bojsin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *