Laçi e ka fituar dy herë Kupën e Shqipërisë dhe dëshira është që ta fitojë sërish, pse jo edhe këtë sezon. Bardhezinjtë e drejtuar nga Gentian Mezani vijnë pas një humbjeje me Kukësin dhe morali normalisht nuk është i lartë si një javë më parë, por gjithsesi futbollistët e dinë se ndaj kampionëve bënë më të mirën dhe me pak më shumë kujdes mund të merrnin tjetër rezultat. Gjithsesi është kërkuar të hidhet pas ndeshja me Kukësin dhe të gjithë ta kenë mendjen te ndeshja e sotme me Lushnjen për llogari të Kupës së Shqipërisë. Bardhezinjtë rikthehen në “Roza Haxhiu”, ku për kampionat në fazën e parë kanë fituar me rezultatin 0-3. Sigurisht kurbinasit e dinë se do të jetë një tjetër ndeshje dhe ndaj stafi teknik është munduar të mobilizojë futbollistët, që në njëfarë mënyre e kanë marrë mesazhin edhe nga vetë kundërshtari, i cili u ka hapur probleme së fundmi Flamurtarit dhe Kamzës në kampionat.
PLANI
Duke pasur parasysh se ndeshja e radhës në kampionat për kurbinasit është të dielën në Shkodër, trajneri Mezani ka menduar të bëjë disa ndryshime në formacion, duke projektuar të luajnë nga minuta e parë disa prej futbollistëve që kanë pasur më pak hapësira, por që kanë treguar vlera në vijimësi, sikurse janë edhe mesfushorët Lushkja e Kallaku. Në seancën e fundit janë parë disa ndryshime dhe prova, duke mos lënë shumë për të kuptuar se cilët do të jenë titullarët. Mungesa të sigurta janë dy, mbrojtësi Arbër Shala i dëmtuar në ndeshjen me Kukësin, si dhe kapiteni Taulant Sefgjini që do të shlyejë në këtë takim pezullimin e dhënë nga Disiplina me pesë ndeshje pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen me Kamzën. Në krahun e majtë të mbrojtjes me shumë gjasa do të luajë i riu Prodani, ndërsa në të djathtë rikthehet Ademir, i cili e ka lënë pas dëmtimin e pësuar para ndeshjes me Partizanin. Pas ndeshjes me Kukësin me probleme është parë të dalë nga loja edhe Ansi Nika, që me shumë mundësi do të lihet pushim. Vladimir Prenga