Trajneri i Luftëtarit Hasan Lika, ishte dukshëm i mërzitur pas humbjes me Vllazninë. Për “Supersport” tekniku i bluzinjëve e pranon se është një humbje që i ndërlikon llogaritë, pasi vjen përballë një rivali direkt. Lika vendos theksin se skuadra e tij bëri më mirë se kundërshtari, megjithatë nuk arriti dot suksesin.
“Humbje që ndikon negativisht, përballë një kundërshtari direkt. Na jep shpresë mënyra si luajmë. Jemi një skuadër që dominojmë, por na mungon eksperienca, për të evituar dhe gabimet. Mendoj se nuk duhet ta humbnim këtë takim, për lojën që bëmë, mund të them që duhet ta kishim fituar këtë ndeshje”.
“Unë nuk jam trajner mbrojtës. Kemi luajtur gjithë takimit në sulm. Kemi luajtur mirë në mbrojtje. Nuk është se kundërshtari na rrezikoi shumë. U ndëshkuam për pakujdesi të portierit në momentin tonë më të mirë”.
“Shumë herë pasimi i fundit na mungoi. Ne pretendojmë të vazhdojmë të përmirësohemi e të punojmë për ta kaluar këtë situatë. Me lojën që zhvillojmë meritojmë të jemi më lart. Kjo është logjika e kampionatit.
Pretendonim ta kalonim më parë, por na duhet ende shumë kohë”.
“Ne e kapëm disa herë në kundërsulm, me Lamçen, me Bregun, me Rrocën dhe Abazajn. Luajtëm futboll të kujdesshëm, qarkulluam topin dhe rrezikuam”.
“Për të dalë nga kjo situatë dilet duke fituar. Siç erdhi Shkodra dhe mori pikë në Gjirokastër edhe ne synuam që të marrim pikë këtu.
Arbitrat janë kundërshtarë në Gjirokastër, kurse kur jemi ne kundërshtarë, nuk kanë qenë asnjëherë me ne”.